image 20 mijë euro shpërblim për personin që jep informacione për autorin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Siguri

20 mijë euro shpërblim për personin që jep informacione për autorin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

news image

Të premten rreth orës 19:00, dyshohet se një person ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të një autobusi që po bartte nxënës nga Gjakova në Deçan. Si pasojë, tre persona mbeten të vrarë- shoferi i autobusit dhe dy nxënës të shkollës së mesme. Prej të premtes, policia nuk ka arritur të gjejë autorin/ët, andaj Qeveria ka ofruar shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që ofron informacione.

Përgjegjësi i vrasjes së Gani Gjokajt, Genta Mustafajt dhe Ledion Hamzajt është ende në arrati edhe dy ditë pasi është kryer krimi. Mirëpo, për këtë Qeveria ka vendosur që të marrë një hap tjetër. Për personin që jep informacione për autorin/ët e vrasje së trefishtë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë 20 mijë euro shpërblim

Përmes një njoftimi, Qeveria ka thënë se policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Por, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit. Kushdo që jep informacione që shpijnë në zbardhjen e rastit, do të shpërblehet me 20 mijë euro.

Nga ky sulm mbetën të vrarë Gani Gjokaj (shofer), Ledion Hamzaj(nxënës) dhe Genta Mustafaj (nxënëse).

Njoftimi i plotë i Qeverisë:

Lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë të premten mbrëma në Gllogjan, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saj relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti.

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejtë ​të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe
e-mail: [email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe.

/GazetaSinjali/