image 17 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës

Sociale

17 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës

news image

Sot bëhen 17 vjet kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” nga Malisheva humbën jetën, pasi që autobusi me të cilin po udhëtonin u rrokullis dhe ra në humnerë.

Aksidenti u shënua rreth orës 14:00, të datës 14 tetor 2004, në Fushë-Arrëz të Pukës, derisa autobusi me 49 maturantë nga Malisheva po kthehej nga Shqipëria, ku maturantët kishin qenë në ekskursion.

Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.

Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit.

Në njëvjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ngriti një obelisk përkujtimor te vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dyvjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytezën e Malishevës.

Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve./Gazeta Sinjali/