Me 16 dhjetor është mbyllur konkursi për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, ku kanë aplikuar 17 persona.
Guvernatori aktual i zgjedhur më 15 mars të vitit 2018 i mbaron mandati me 15 mars të vitit 2023, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve jo zyrtare këta janë disa nga kandidatët që po synojnë postin e të parit të BQK-së: Emanuel Bajra, i cili jeton në Londër dhe aktiviteti i tij mbi 10 vite bankier në Londër, Fehmi Mehmeti, guvernantori aktual, Nexhat Kryeziu anëtar i Bordit aktualisht në BQK, Shkendije Himaj, ish-punonjëse në BQK, Mentor Nimani, Bezad Halilaj, Artan Ajazaj, Valdrin Krasniqi, Mentor Geci, Genc Rraci, Ardian Uka dhe Arta Hoxha e të tjerë.
Zëdhënës i BQK-së Kushtrim Ahmeti, tha për Gazetën Sinjali se për pozitën e Guvernatorit kanë aplikuar gjithsej 17 kandidatë.
Sipas tij, sa përket emrave të kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozitë, bazuar në Ligjin Nr.06/L-081 Për Qasje në Dokumente Publike, nuk na lejohet që të bëjmë shpalosjen e emrave.
“Për më shumë, i referoheni Nenit 17 të këtij Ligji, i cili sanksionon bazat e lejueshme për refuzimin e qasjes në dokumente publike, duke u bazuar në nënparagrafin 3.2. Rrjedhimisht deri në lidhjen e marrëdhënies së punësimit, nuk lejohet shpalosja e emrave të kandidatëve”, tha Ahmeti.
Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili do të përzgjedhë një kandidat.
Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenta e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit të BQK-së.