Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar protestën e para 16 vjetëve ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, të cilët sipas Haxhiut, u bënë sakrifikuesit e shtetësisë “që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë”.
Haxhiu tha se e drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar, atë ditë u dhunua me shkopinj e plumba gome nga ana e policisë së UNMIK-ut, që për pasojë u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini.
“Rënia e tyre e ngriti edhe më shumë alarmin për korrigjim të padrejtësisë që po na bëhej me pakon e Ahtisaarit, e cila vetëm pastaj rezultoi me përmendjen e togfjalëshit “pavarësi e mbikëqyrur”, ende pa u mbushur as 3 javë prej vrasjes së dy aktivistëve nga plumbat e policisë rumune”, është shprehur Haxhiu.
E para e Drejtësisë bëri të ditur se para 3 vjetëve, zyrtarisht i është drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra për vrasjen e dy ish-aktivistëve të VV-së.
“Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të prcedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune”.
“Aktivistët po protestonin paqësisht atë ditë për ta mbrojtur vendin e tyre. Mbledhja e qytetarëve për protestë paqësore është e drejtë universale e garantuar edhe me konventa ndërkombëtare. Prandaj, për vrasjen e Monit dhe Arbenit, nuk do te rreshtim së kërkuari përgjegjësi”, është shprehur Haxhiu.