Më 21 janar, në stacionin policor në Mitrovicë është raportuar një vajzë si e zhdukur. Nëna e saj, e cila e ka denoncuar rastin kishte deklaruar se kjo nuk ishte hera e parë që e bija ishte larguar nga shtëpia. Sinjali mëson se pas më shumë se dy muajsh, 16-vjeçarja është kthyer në shtëpinë e saj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se çfarë ka deklaruar e mitura në Polici, pasi u gjet.
Sipas të njëjtave burime, nëna e 16-vjeçares e ka raportuar sot në stacion policor se vajza e saj është kthyer në shtëpi më 9 prill. E njëjta është intervistuar nga hetuesitë rajonalë dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirë nga shtëpia.
Ajo ka thënë se askush s’e kishte detyruar të dalë nga shtëpia e saj, derisa nuk ka dhënë detaje se ku ka qëndruar gjatë kësaj kohe.
Gjendja e saj, sipas burimeve të Sinjalit është mirë dhe sipas deklaratës që e ka dhënë nuk është abuzuar nga ndonjë person.
Sinjali mëson se lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent.