image 1 mijë e 577 persona po vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës

Siguri

1 mijë e 577 persona po vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës

news image

Janë saktësish 1 mijë e 577 persona në Kosovë të cilët janë privuar nga liria, për shkak se kanë kryer vepra të ndryshme penale dhe për të cilat tani po vuajnë dënimet në burgjet e vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se 1537 të burgosur janë meshkuj dhe vetëm 40 janë femra.

Ndonëse Komisioni për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ditë më parë, njoftoi se gjendja e të burgosurve është rënduar nga pandemia, nga ky shërbim bënë të ditur se gjatë kësaj periudhe kohore, SHKK, ka hartuar planin operativ “Coronavirus”, i cili ka paraparë këto masa:

“Janë ndërprerë të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit. Të burgosurve i`u kanë mundësuar telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype; Janë ndaluar transferet nëpër burgje për të burgosurit; Reduktim të transportit në gjykata dhe prokurori, (vetëm në raste shumë emergjente)”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.

Po ashtu, ky shërbim ka bërë të ditur se në mesin e masave përfshihen edhe kontrollet mjekësore dhe karantinimi 14 ditësh, të cilave u janë nënshtruar pranimet e reja.

Ky plan operativ ka përfshirë edhe: “Kontrollin e vazhdueshme të stafit nga mjekët, të cilët veç janë në qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit; Kontrollin e vazhdueshme të të burgosurve, të cilët kanë ndonjë simptomë infektive; Furnizimin brenda burgjeve për të burgosurit me material higjenik, siç janë: Shampo, sapun dhe dezinfektues për duar; Furnizimin me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve, po ashtu vazhdimisht është bërë dezinfektimi i të gjitha hapësirave të brendshme dhe të jashtme nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit”.

Ndërkaq, që nga 5 maji, secilit të burgosur i është mundësuar të pranojë në vizitë dy vizitorë të rritur dhe tre fëmijë. 

Ndërsa, nga data 10 maj 2021, ka filluar edhe lejimin e fundjavave për të dënuarit të cilët plotësojnë kushtet ligjore për shfrytëzimin e fundjavës në shtëpi.

Mirëpo, këta të burgosur pas kthimit nga fundjava do t’i nënshtrohen karantinimit, për së paku 7 ditë./Gazeta Sinjali/