Në Kosovë tash e shtatë muaj ekziston Agjencia për Informim dhe Privatësi ku qytetarët mund të drejtohen kur hasin në shkelje të privatësisë.
Krenare Sogojeva- Dermaku, komisionere për Informim dhe Privatësi, ka thënë se të dhënat personale nuk mund të përdoren e as të shkelen nga askush.
Në momentin që qytetarët japin informacionet e tyre në një institucion, institucioni përkatës nuk ka të drejtë t’i përdorë ato të dhëna për qëllime të tjera, tha Sogojeva.
Ajo u shpreh kështu, pasi që sot në gjithë botën është shënuar Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave.
“Të dhënat personale janë personale dhe nuk mund të shkelen e as të përdoren nga askush. nuk janë të dhënat tona personale që i japim institucionit, ata nuk kanë të drejtë t’i përdorin për diçka tjetër ato të dhëna. Qytetarët e kanë sot një derë ku kur konsiderojnë se i është bërë shkelje e privatësisë mund të drejtohen te agjencia e informimit dhe privatësisë”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.
Sogojeva tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi ka autoritetin që të shqiptojë edhe gjoba për shkelësit e privatësisë.
Ajo bëri të ditur se deri tani kanë pranuar 145 ankesa për shkelje të privatësisë, mirëpo të gjitha janë mbyllur pa pasur nevojë për shqiptim të gjobave.
“Ligji për mbrojtjen e të dhënave i ka dhënë autoritet agjencisë që në rastin e identifikimit të shkeljes së privatësisë të shqiptojë edhe gjobë, masën sanksionuese ndaj institucionit apo kompanisë që e ka bërë shkeljen… Deri sot kemi pranuar mbi 145 ankesa të gjitha këto ankesa janë mbyllur pa pasur nevojë të japë gjobë”, ka shtuar Sogojeva
Gjoba që parashihet me ligj që agjencia ta shqiptojë ndaj institucioneve arrin deri në 40 mijë euro, theksoi ajo.
Ajo tha se edhe kamerat që vendosen nga bizneset e ndryshme në hapësirat e tyre, përbëjnë shkelje të privatësisë, nëse ato vendosen në hapësirën ku frekuentohet nga qytetarët./GazetaSinjali/