Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 78 të tjerë janë plagosur pas një tërmeti që goditi Afganistanin perëndimor, thonë zyrtarët.
Shërbimi Gjeologjik i ShBA tha se tërmeti me magnitudë 6.3 goditi vendin afër kufirit me Iranin.
Një numër ndërtesash u dëmtuan, duke bllokuar njerëzit nën rrënoja, thanë zyrtarët afganë.
Të paktën tre lëkundje të fuqishme pasuan tërmetin fillestar.
“Ishim në zyrat tona dhe papritmas ndërtesa filloi të dridhej. Fasadat e mureve filluan të bien dhe muret u plasaritën, disa mure dhe pjesë të ndërtesës u shembën”, tha banori i Heratit, Bashir Ahmad, 45 vjeç, për agjencinë e lajmeve AFP.
“Nuk jam në gjendje të kontaktoj familjen time, lidhjet në rrjet janë shkëputur. Jam shumë i shqetësuar dhe i frikësuar, ishte e tmerrshme”, shtoi ai.
Terreni i thyer i Afganistanit është i prirë ndaj aktivitetit sizmik për shkak të përplasjes së pllakës tektonike indiane me pllakën euroaziatike në veri, duke çuar në tërmete. Mbi 200 njerëz në Afganistan dhe Pakistanin verior fqinj u vranë në vitin 2015 kur një tërmet shkatërrues goditi Afganistanin.
Në vitin 2002, rreth 1000 njerëz u vranë në Afganistanin verior nga një tërmet me magnitudë 6.1 ballë të Rihterit. Dhe një tjetër tërmet me magnitudë 6.1, si dhe lëkundjet e mëvonshme, në verilindjen e largët të Afganistanit, vranë të paktën 4,500 njerëz në 1998.