Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim virtual së bashku me kryetarët e Komunave, me të cilët diskutoi rreth gjendjes në vend pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se të gjitha komunat e prekura nga vërshimet i kanë formuar komisionet vlerësuese të dëmeve.
“Është diskutuar me situatën e shkaktuar pas vërshimeve në komunat e Kosovës, nga kryeministri angazhimi i kryetarëve është vlerësuar jashtëzakonisht shumë sa i përket ballafaqimit me situatën. Të gjitha komunat të cilat janë të prekura nga vërshimet vetëm se i kanë themeluar komisionet vlerësuese të dëmeve si në sektorin e Infrastrukturës Publike, si në sektorin e Bujqësisë, por gjithashtu edhe të ekonomisë familjare”, tha Ibrahimi.
Po ashtu, Ibrahimi bëri të ditur se ende nuk dihet vlera e dëmit të shkaktuar nga vërshimet dhe se janë duke bërë vlerësimin e dëmeve, teksa shtoi se komunat nuk kanë fonde të mjaftueshme për mbulimin e këtyre dëmeve.
“Komunat janë duke e bërë angazhimin maksimal në identifikimin apo mbledhjen e shënimeve që do të dërgohen në qeveri. Duhet marrë parasysh që Komunat nuk kanë mjete buxhetore apo fonde të veçanta dhe Fondi Emergjent nuk është i decentralizuar, por është i nivelit qendror dhe Komunat kërkuan që dëmet të mbulohen nga buxheti qendror”, tha Ibrahimi.
Gjithashtu, ai tregoi se cilat nga komunat janë më të prekurat nga përmbytjet, gjersa bëri të ditur se 130 qytetarë deri më tash janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
“Secila Komunë i ka paraqitur dëmet, më të prekurat ishin komuna e Drenasit, e Fushë Kosovës, e Obiliqit dhe në të gjitha komunat i treguan përafërsisht dëmet dhe kanë filluar procesin e vlerësimit kurse ishin 130 qytetarë të evakuuar njëherpërnjëherë”, shtoi Ibrahimi./Gazeta Sinjali/