image 13 vjet proces gjyqësor, familja Zogjani kërkon drejtësi

Kosovë

Drejtësi/ 13 vjet proces gjyqësor, familja Zogjani kërkon drejtësi

news image

Qytetarët e Kosovës duhet të presin me vjet, ndonjëherë edhe me dekada për të realizuar një të drejtë të tyre. Ka raste kur një qytetari rasti i kthehet në rigjykim dy herë, e në raste të caktuara edhe më shumë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me 64 vjeçarin, Shefki Zogjanin. Ai tash e 13 vjet po përballet me një proces maratonik gjyqësor, për çka po lufton për të hequr nga supet barrën e akuzës për “shtytje në vrasje”, e së fundmi edhe për “ndihmë në vrasje”.

Tragjedia e familjes Zogjani kishte filluar në vitin 2004. Atë vit djali i vëllaut të Shefkiut, 20 vjeçari, Kastriot Zogjani, ishte vrarë me mashtrim nga Avni Osmani. Këtij të fundit, Kastrioti i kishte dhënë 2.500 euro për të hyrë në punë në Aeroportin e Prishtinës.

Djali i Shefkiut, Blendriti, tregon se përveç që nuk e kishte punësuar, ai e kishte vrarë atë me 12 plumba, trupi i të cilit nuk ishte gjetur nga familjarët për shtatë javë.

“Në vitin 2004 djalit të axhës i është bërë një ofertë për punësim nga një djalë në fshatin Sllatinë, nga Avni Osmani. Dhe ai ka kërkuar nga Kastrioti, djali i axhit 3 mijë euro për punësim, dhe Kastrioti ka pranuar, ia ka dhënë paret. Me kërkesë tjetër, ai ka thënë duhet me qenë tetë persona që të përmbushet numri i cili kërkohet që të fillohet puna në aeroport, dhe i ka thënë nëse e ke dikë, mund ta lajmërosh, i ka njoftuar Kastrioti kë e kemi pasur familjarë. Kërkesa e tij ka qenë, pasi ka dhënë begjat kanë qenë të pavulosur, ia ka jep begjat i ka thënë duhet me i dhënë begjat me i dërgu te Kastrioti me i sjell me vulos në mbrëmje në orën 19:00. Në orën 19:00 i ka marrë Kastrioti begjat me i dërgu me u vulos, nga ai moment nuk kemi pasur ne kontakte më me të. Shtatë javë ditë e kemi kërkuar, pas shtatë javë dite vjen Policia e Kosovës dhe na tregojnë që është gjetë trupi i pajetë i Kastriotit”, rrëfen ai.

Për këtë rast, gjykata i kishte caktuar Avni Osmanit, 30 vjet burg, por ai nuk e kishte vuajtur këtë dënim, pasi ishte arratisur në shtator të vitit 2017.

Dy vjet pas, vëllau i Kastriotit, Korabi kishte marrë “gjak” për vëllaun e tij në familjen Osmani, në vitin 2006 dhe po i njëjti ishte arratisur nga Kosova.

Në vitin 2008, Shefki Zogjani ishte ftuar për të dhënë deklaratë në lidhje me këtë rast, për çka nga aty doli me duar në pranga, si i akuzuar për shtytje në vrasje. Për këtë thuhej se Korabi kishte përdorur veturën e Shefkiut për të shkuar në Sllatinë ku ishte kryer vrasja e Bekim Osmanit. E pikërisht në këtë bazohej edhe aktakuza për “shtytje në vrasje”.

“Babai im akuzohet si nxitës në vrasje, pa asnjë dëshmi, pa asgjë hiç. Ky është rast i montuar. Nuk bazohet në asgjë dhe brenda gjykatës thuhet se në bazë të supozimeve se si ka mundur të ndodhë është kjo. Gjykata nuk e ka asnjë dëshmitar për këtë supozim. Ata thonë që t’i i ke thënë dil kryje këtë vepër, pa asnjë provë, nëse t’i thua dil kryeje këtë vepër, duhesh me pas një dëshmitar, nuk ka dëshmitar. Interesi i tyre ka qenë që të burgoset dikush i familjes tonë edhe tash i dinë ata interesat e tyre”, shton i biri i Shefki Zogianit.

Shefki Zogjani kishte qëndruar gjashtë vjet në paraburgim, gjatë të cilave janë mbajtur tri procese gjyqësore. Ky rast është kthyer në rigjykim një herë nga Gjykata Supreme dhe dy herë nga Gjykata e Apelit.

Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të cilët monitorojnë sistemin gjyqësor në Kosovë, thotë se tek rastet penale ka procese shumë të gjata ku shkelet parimi i gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

“Personi fillimisht është arrestuar dhe është paraburgosur në dyshimin për kryerjen e veprës penale, vrasje në shtytje. Mandej e ka dënuar Gjykata e Qarkut të asaj kohe, mandej Gjykata Themelore e Prishtinës, përveç herës të parë edhe tri herë-rigjykime të ndryshme gjatë këtij procesi, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim lëndën në bazë të kërkesave të palës mbrojtëse dhe gjithmonë për të njëjtat arsyeje është kthyer në rigjykim për faktin se Gjykata Themelore nuk ka arritur të dëshmojë se përse personi ka ndikuar ose ka kontribuar në vrasjen në shtytje tek i pandehuri kryesor, ose kryerësi kryesor i veprës penale”, tregon ai.

Për këtë rast akuzohet edhe djali i Shefkiut, Hasim Zogjani, i cili thuhet se kishte ndihmuar në kryerjen e kësaj vrasjeje. Kur ndodhi vrasja për hakmarrje e Bekim Osmanit në Fushë-Kosovë në vitin 2006, Hasim Zogjani ishte i mitur.

“Dëshmon vëllau im, thotë unë ia kam dhënë çelësat e veturës, ne kemi qenë familje e afërm…babai nuk ka qenë i informuar hiç në lidhje me veturën, pasi kur ka ardhur policia e ka marrë në pyetje pas rastit që ka ndodhur, nuk ka qenë i informuar, edhe babai i merr çelësat prej xhepit, thotë po këtu i kam”, deklaron ai.

Në vendimin e fundit të marrë në korrik, Shefkiu është dënuar me tetë vjet burgim.

Gjykata Themelore e ka ndërruar kualifikimin e veprës penale nga “vrasje në shtytje”, në “ndihmë në vrasje”.

Alban Muriqi thotë se si qendër kanë kërkuar që ky rast të zgjidhet në mënyrë meritore, për faktin se Gjykata Themelore, sipas tij, nuk ka arritur të dëshmojë fajësinë e Shefki Zogianit. E për këtë, nga kjo e fundit nuk ka qenë e qasshme.

Sipas Muriqit, sistemi gjyqësor ka dështuar të trajtojë këtë rast, marrë parasysh edhe aspektet e paraburgimit.

“Dhe prapë Gjykata e Apelit do të thotë vendos vet e merr për herë të parë rastin dhe e lë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore, ku i dënuari dënohet me tetë vjet dënim për vrasje në ndihmë. Duhet të përmendim edhe rastin e paraburgimit ku janë bërë shumë shkelje, shumë lëshime këtu. I dënuari ka qëndruar rreth gjashtë vjet në paraburgim, gjithmonë i është përgjigjur drejtësisë, gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe sistemin gjyqësor. Pasi ne e kemi ndjekur nëpër seanca, derisa e kemi monitoruar në paraburgim, mirëpo asnjëherë, asnjëra nga gjykatat nuk i ka marrë parasysh këto dhe gjykimi i drejtë dhe gjykimi në kohë të arsyeshme si parim është shkelur shumë herë në këtë rast me gjashtë vjet paraburgim”, shton Muriqi.

Ky rast sipas tij është përcjellë edhe me vonesa të shumta, për çka thotë se kanë drejtuar shumë shkresa Gjykatës Themelore për përshpejtim të rastit.

Muriqi mes tjerash thekson se kjo gjykatë nuk i merr parasysh vërejtjet apo rekomandimet e Gjykatës së Apelit, për çka sipas tij, është dështim i sistemit të drejtësisë.

E Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi, thotë se Kodi i Procedurës Penale, e ka lejuar që Gjykata e Apelit ta ketë të drejtën që një rast të caktuar ta kthej disa herë në rigjykim, në Gjykatën e Shkallës së Parë. Sipas tij, kjo është kthyer në praktikë që shumë raste të nisin nga fillimi.

E për këtë ai thekson se IKD ka kërkuar të ndryshohet Kodi i Procedurës Penale.

“Në çështjet civile dhe administrative gjendja mund të themi se është kaotike, që do të thotë se qytetarët duhet të presin me vite të tëra, ndonjëherë edhe me dekada për të realizuar një të drejtë të tyre. Që nënkupton që për shkak të neglizhencës, qoftë mos administrimit të mirë të rasteve nga ana e vetë gjyqtarëve, kemi të bëjmë me raste kur një qytetari i njëjti rast i kthehet në rigjykim, një herë, dy herë, tri herë, ndoshta në raste të caktuara edhe më shumë”, thotë Miftaraj.

Sipas Miftaraj, kjo e zbeh besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor.

“Në vend që një lëndë të trajtohet një herë, e njëjta lëndë trajtohet tri-katër herë, që nënkupton që vetë sistemi gjyqësor, me neglizhencë dhe joprofesionalizëm, rrit numrin e lëndëve në mënyrë artificiale, në anën tjetër kemi kufizim apo shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe e treta është ajo që fatkeqësisht kur qytetarët ballafaqohen me një sistem të tillë të drejtësisë, i cili më së paku jep drejtësi, nuk kanë mekanizma në vend, por të cilët do të merrnin çfarë do dëmshpërblimi për shkak të shkeljeve që ju bëhen nga ana e vetë shtetit”, shton Miftaraj.

Blendriti, i biri i Shefkiut shpreh shqetësimin se ky rast po i “montohet” babait të tij, derisa shpreson që një ditë të ketë drejtësi për të.

“Nëse merresh po bëhen 16 vjet me këtë rast, sa mund të jetë kjo e dëmshme për të gjithë familjarët. 16 vjet janë shumë të mëdha, dhe prapë kjo është duke vazhduar, rasti vazhdon prapë në instanca tjera, tash kemi bërë ankesë në Gjykatën Supreme, tash mbetet të shihet”, deklaron ai.

Në lidhje me këtë rast, nuk është marrë asnjë deklaratë nga dorasi, përveç se për të po dënohet i akuzuari për “ndihmë në vrasje”, Shefki Zogjani. Djali i tij, Blendriti thotë se për tërë këto vite zvarritje të procesit gjyqësor, do të kërkojnë llogari./Gazeta Sinjali/