image 104 nxënës të Kamenicës qe 7 muaj nuk ndjekin mësimin, prindërit nesër protestojnë para qeverisë

Kosovë

Arsim/ 104 nxënës të Kamenicës qe 7 muaj nuk ndjekin mësimin, prindërit nesër protestojnë para qeverisë

news image

Që prej 2 shtatorit të vitit 2019 kur Komuna e Kamenicës mori vendimin për mbylljen e shkollës fillore “Hasan Prishtina” në fshatin Busavatë, 104 nxënëse tash e 7 muaj nuk e kanë ndjekur mësimin.

Për këtë arsye, prindërit e këtyre nxënësve nuk i ndalën protestat. Fillimisht, në rrugët e Busavatës, dhjetëra herë para objektit të komunës, dy herë para Ministrisë së Arsimit këta qytetarë dolën për të kundërshtuar vendimin e komunës për mbylljen e shkollës në fshatin e tyre dhe transferimit të nxënësve në shkollën “Fan Noli” në Kamenicë.

Ata kanë paralajmëruar se protestën e tyre do ta vazhdojnë edhe nesër, këtë herë para objektit të Qeverisë së Kosovës.  

“Ne jemi lodhur me këto shantazhe e injorime dhe fjalë të kota ndaj neve nga të gjitha organet. Ne nuk duam më. Ne nuk lejojmë më. Ne nuk kemi ku të shkojmë më. Ne si akt të fundit të vullnetit dhe kulturës sonë demokratike dhe qytetare e paqësore me datë 09.03.2020 ditë e hënë do të shprehim argumentet tona në formë proteste edhe para Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe para shefit të ekzekutivit, zotit Albin Kurti”, thuhet në njoftimin e prindërve dhe banorëve të Busavtës.

Ata paralajmërojnë masa ekstreme në rast se edhe kryeministri Kurti nuk ndërmerr masa.

“Nëse edhe ky i fundit (Albin Kurti) na injoron dhe nuk na gjen zgjidhje atëherë ne nuk kemi më rrugëdalje, përveç të ndërmarrim masa ekstreme për të mbrojtur fëmijët tanë nga pushteti që nuk po na përgjigjet. Përkundër atyre që kanë përgjegjësi politike e morale e janë treguar deri tani joserioz, gjendja është serioze”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Këta banorë po kundërshtojnë mbylljen e shkollës në Busavatë, pasiqë sipas një raporti të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës i cili mban datën 16 janar 2020, shkolla “Fan Noli”, ku u përcaktua të transferohen këta nxënës, nuk i plotëson kushtet higjienike sanitare për mësim dhe paraqet rrezik për shëndetin e nxënësve.

Raporti i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës

“Gjatë vizitës u evidentuan shumë faktorë të cilët paraqesin rrezik për shëndetin e nxënësve. Shkolla ka 3 objekte: njëra është për administratë e cila është shumë e vjetër dhe as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për punë. Njëri objekt shërben për fëmijët parashkollorë dhe fëmijët me nevoja të veçanta dhe në të njëjtin objekt vërehet lagështi nëpër mure dhe janë prezente orendi të demoluara të cilat janë jashtë funksionit. Objekti tjetër i cili përdoret për klasë për nxënës është mjaft i vjetër dhe nuk i plotëson kushtet higjieno-sanitare për objekt shkollor. Shkallët e jashtme dhe të brendshme janë të dëmtuara dhe nuk ju përgjigjen standardeve. Klasat janë me invertar të vjetruar dhe nuk ka ndriçim natyral të mjaftueshëm”, thuhet në raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.  

Prindërit thonë se nuk duan t’i rrezikojnë fëmijët e tyre. Ata thonë se në Busavatë nxënësit e kanë shkollën e re, për të cilën Ministria e Arsimit kishte investuar miliona euro.

“Shkolla e re e Busavatës është në fazën finale të ndërtimit dhe përmbush të gjitha parametrat e një shkolle moderne. Shteti ka investuar në vitin 2018/19 një shifër gjashtëshifrore për ndërtimin e godinës së re dhe Qëndron Kastrati do ta mbyll shkollën”, thuhet në shkresën e Këshillit të Prindërve në Busavatë.

Banorët e Busavatës po kundërshtojnë vendimin edhe për faktin se për të shkuar në shkollën “Fan Noli” në Kamenicë, nxënësit duhet të udhëtojnë nga 14 deri në 52 kilometra në ditë.

“Nxënësi më i vogël 5-6 vjeçar detyrohet kështu të udhëtoj nga 14km deri 25 km, përveç saj e dimë nga përvoja që një fëmije 5 vjeçar nuk udhëton pa prindërit, madje prindërit detyrohen në vitin e parë të vinë disa herë gjatë orëve të mësimit ngase fëmijët i kërkojnë ata; si do Kryetari ta zgjidh këtë kur ekziston kjo largësi? Nga fshatrat tjerë si Krilevë, Strezocë, Tuxhecë nxënësi 5-6 vjeçar dënohet dhe me të prindërit e tij të udhëtoj afër 52 km në ditë”, thuhet tutje në shkresën e tyre.

Sipas tyre, me vendimin për mbylljen e kësaj shkolle, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka shkelur ligjin në fuqi, sipas të cilit “organizimi ose mbyllja e shkollave  duhet të bëhet në bashkëpunim me qytetarët”.

“Ne deklarojmë që kryetari i komunës ka shkelur edhe ligjin në fuqi kur mori vendimin e lartpërmendur që thotë se organizimi ose mbyllja e shkollave duhet të bëhet në bashkëpunim me qytetarët. Ai nuk ka bashkëpunuar as me ne por as edhe me fshatrat tjera si Strezofc, -Krilevë, Tuxhefc. Ai nuk zgjodhi rrugën e bashkëpunimit por rrugën e shantazhit dhe kërcënimit ndaj prindërve, ndaj mësuesve dhe ndaj gjithë atyre që ishin kundër. Si pasoj e kësaj qindra nxënës mbeten pa ndjekur mësimin”, thuhet në komunikatën e përfaqësueseve të fshatit Busavatë.

Kështu, ata paralajmërojnë padi ndaj Kastratit dhe e ftojnë atë që të reflektojë dhe të anulojë vendimin e tij për mbylljen e shkollës.

Shkolla “Hasan Prishtina” në Busavatë u mbyll më 2 shtator të vitit 2019, atë ditë kur filloi zbatimi i “Reforës në arsim” të kryetarit Kastrati. Kastrati atëkohë kishte thënë se kjo reformë është më se e nevojshme për nxënësit e Kamenicës, teksa kishte shtuar se kundërshtimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ndaj kësaj nisme të tij, sipas tij, po bëheshin për arsye politike./Gazeta Sinjali/