Sot, janë bërë 10 vjet nga vdekja e gazetarit dhe shkrimtarit, Mehmet Haziri. Në 10-vjetorin e vdekjes, Haziri është përkujtuar nga familjarët dhe miqtë e tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Kush ishte Mehmet Haziri?
Gazetari, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur, Mehmet Haziri, ka punuar si redaktor në ish-Radio Televizionin e Prishtinës (tash RTK).
Ka udhëhequr emisionin në gjuhën shqipe në Radio Kroacia, gjatë luftës në këtë vend, kurse nga viti 1993 deri më 1999 ka qenë koordinator i redaksisë së Radio Televizionit Shqiptar të Tiranës, në Prishtinë.
Në vitin 1995 është nderuar me çmimin “Gazetar i Vitit”, nga Lidhja e Gazetarëve të Kosovës.
Haziri ka botuar libra për fëmijë, si: “Ëndrra e Benit”, “Kur vjen gjyshi në qytet”, “Një pinguin në Dukagjin”, “Mos luaj me bisht” dhe “Lugina e mistereve”. Ka botuar edhe vëllimet me poezi për të rritur: “Shi pranvere në Tiranë”, “Për dashurinë tënde”, si dhe romanet: “Në fund të stinëve”, “Udhëtimi nëpër stuhi” dhe “Stina e luftës”.
Haziri ka edhe dy dorëshkrime të pabotuara, që i shkroi në kohën kur ishte i sëmurë.
Kolegët dhe dëgjuesit e mbajnë mend për profesionalizmin dhe guximin e tij në raportimet për ngjarjet më të vështira të kohës./Gazeta Sinjali/