Një vajzë 10-vjeçare nga Arizona, është detyruar të telefonojë policinë pasi nëna e saj po drejtonte makinën në gjendje të dehur me tre fëmijë që ishin tmerruar.
Stephanie Davis nga Glendale, u ndalua nga policia të shtunën.
Vajza e saj i tregoi policisë një video ku kishte xhiruar mamanë duke i dhënë makinës me shpejtësi dhe e dehur, pasi mori fëmijën dhe dy mbesat e saj 4-vjeçare për të parë filmin “‘The Lion King’ në kinema.
Në dokumentet e gjykatës thuhet se fëmijët po bërtisnin nga frika brenda makinës. Ndërsa, video nuk është bërë ende publike për mediat.
“Kjo është gjëja më e turpshme që më ka ndodhur ndonjëherë në jetën time. Ky është momenti më i dështuar i të qenurit nënë, vura jetën e saj në rrezik. Ajo u tregua heroinë. Absolutisht që bëri gjënë e duhur. Shkova në kinema dhe u deha me verë“, citohet të ketë thënë nëna.
10-vjeçarja i tha gazetarëve se u frikësua kur nëna e saj filloi të ngiste makinën me shpejtësi.
“Kufiri i shpejtësisë nuk ishte i duhuri. Ishte me shumë shpejtësi. Nuk ndihesha e sigurt në atë kohë. Unë gjithashtu doja të mbroja kushërinjtë dhe nënën time. Telefonova policinë“, citohet të ketë thënë 10-vjeçarja.
Policia tha se nëna mbante erë alkool kur mbërritën në vendin e ngjarjes.
“Jam shumë e neveritur nga sjellja ime dhe falënderoj shumë Zotin që nuk i ndodhi asgjë vajzës sime, mbesave të mia dhe ndokujt tjetër“- citohet të ketë thënë Davis.
31-vjeçarja përqafoi vajzën e saj dhe këshilloi prindërit e tjerë të mos pinin dhe të mos ngasin të dehur makinën.