image ”1 martohet 100 tërbohen”, identifikohet krushku nga Laçi që qëlloi me kallash në autostradë

Shqipëri

”1 martohet 100 tërbohen”, identifikohet krushku nga Laçi që qëlloi me kallash në autostradë

news image

Policia e Kurbinit njofton se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 21-vjeçarin, Klajdi Tafaj, që qëlloi me kallashnikov në ajër nga automjeti në ecje, gjatë një ceremonie dasme, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, dhe më pas e postoi videon në rrjetet sociale.

Gjithashtu, procedohet penalisht dhe kushëriri i tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Njoftimi i policisë:

Gjendet dhe sekuestrohet në cilësinë e provës materiale dhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqej një shtetas duke qëlluar me armë zjarri nga një automjet në ecje, në aksin rrugor Laç-Mamurras, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.

Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale.

Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi M. T., 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë, Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klajdi Tafaj, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.

/Gazeta Sinjali/