Kreu i Partisë Demokratike ka dalë në një deklaratë për mediat, pak kohë pasi përpara Selisë Blu foli për mediat ish-kryeministri Sali Berisha me anëtarë të Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit.
“Sot është një ditë bilanci, i të djeshmes tragjike për demokratët dhe të gjithë shqiptarët. Ndodhem këtu prej pa pushim që nga ngjarja bashkë me bashkëpunëtorët e mi, nuk mund të ndaj asgjë tjetër me demokratët përveçse trishtimit të thellë për atë që ka ndodhur dje.
Sot nuk është ditë për t’u krenuar apo qeshur siç bëri ai që ishte pak më parë. Nuk është ditë për të vallëzuar mbi rrënojat e dhunës…është një ditë për të përsëritur atë që kemi thënë prej kohësh, provat e të cilët janë përballë gjithë shqiptarëve. Qëllimi i vetëm i Berishës është që nëse PD nuk e merrte në mbrojtje, atëherë PD nuk meritonte të ekzistonte”, tha Basha.
Ndërkohë gjatë deklaratës për shtyp nga selia blu, ku gjurmët e protestës së ditës së djeshme janë ende aty, Lulzim Basha premtoi ringritjen e Partisë Demokratike.
Basha tha para mediave se Sali Berisha dhe Edi Rama janë njësoj, duke e bërë të barazvlefshme 8 janarin me 21 Janarin. Kreyedemokrati tha se Berisha dhe Rama eksitohen nga dhuna dhe se ai nuk është si ata.