image ​Si po kërcënohen qytetarët për të votuar parti dhe deputetë të caktuar

Zgjedhjet/ ​Si po kërcënohen qytetarët për të votuar parti dhe deputetë të caktuar

news image

Serbët e veriut, të punësuar nëpër institucione shtetërore, po urdhërohen, madje edhe kërcënohen me vende pune nga drejtuesit e këtyre institucioneve, që të votojnë pesë kandidatët e parë të Listës serbe për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, ndërsa serbët e jugut, urdhërohen të votojnë pesë kandidatët e dytë, përkatësisht nga numri 6-10, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Një qytetare serbe  (emri i njohur për redaksinë) që punon në njërën prej shkollave në veri të Mitrovicës, ka folur në kushte anonimiteti për KosovaPress, duke thënë se të mërkurën drejtori i saj e ka urdhëruar që më 6 tetor, në ditën e zgjedhjeve, të votojë Listën serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 1 deri në 5.

“Sot njëra prej kolegeve më tha se duhet të lajmërohem tek drejtori sepse paska diçka të rëndësishme me më thënë. Pasi u lajmërova në zyrën e tij, ku ishim veç ne të dy, më urdhëroi që në zgjedhjet e së dielës, së bashku me familjarët e mi të votojë Listën serbe dhe pesë kandidatët e parë në listë, për deputetë. Ndryshe, rrezikoj vendin e punës”, ka thënë kjo qytetare.

Ajo shtoi se më vonë ka kuptuar që pothuajse të njëjtën gjë drejtori u kishte thënë edhe kolegëve të tjerë, secilit veç e veç.

Sipas kësaj qytetare, e njëjta gjë po ndodhë edhe me qytetarët serbë të jugut të Kosovës, të cilët detyrohen të votojnë për Listën serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 6 deri në 10.

Këtë e ka mësuar, siç u shpreh ajo, nga një kolege e cila punon në Graçanicë, ndërsa një vendim i tillë është marrë pas konsultimeve të fundit të  disa anëtarëve të Listës serbe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

KosovaPress-i ka arritur të sigurojë letrën e cila në formë të udhëzuesit po ju shpërndahet qytetarëve të katër komunave veriore dhe që konfirmon se kë duhet votuar ata.

Ndryshe, pesë emrat e para për deputetë në listën e kësaj partie janë, Igor Simiq, Zoran Mojsiloviq, Miljana Nikoliq, Sllavko Simiq, dhe Ivan Todosijeviq.  Ky i fundit ishte shkarkuar nga kryeministri Haradinaj, për shkak se masakrën e Reçakut e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”, dhe shqiptarët që luftuan për çlirimin e Kosovës i quajti “terroristë”.

Ndërsa, në grupin e dytë, për të cilët qytetarët serbë jo të veriut, por të pjesëve tjera të Kosovës duhet të votojnë, janë  Jasmina Dediq, Milosh Peroviq, Ljubinko Karaxhiq, Verica Çeraniq dhe Branisllav Nikoliq.