image ​Përmbaruesit paralajmërojnë se vendimin për ulje në 40% të tarifave do e dërgojnë në gjykatë

Financa

​Përmbaruesit paralajmërojnë se vendimin për ulje në 40% të tarifave do e dërgojnë në gjykatë

news image

Oda e Përmbaruesve Privat po e kundërshton udhëzimin administrative për zbritjen në 40% të tarifave të përmbarimit privat. Madje, kjo odë po paralajmëron edhe ballafaqimin e këtij udhëzimi me procedura gjyqësore, pasi e konsiderojnë të dëmshëm dhe me pasoja qoftë për personat që janë të punësuar te këto zyra përmbarimore, po ashtu edhe për palët e dëmtuara.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Arben Gashi, e quan shqetësues faktin e uljes së tarifës së përmbarimit në 40% kur janë rritur çmimet për mallra dhe shërbime.

“Është shqetësues fakti se si mund të zvogëlohen tarifat e përmbarimit që janë tarifa gjyqësore në masën 40% kur çdo çmim tjetër për mallra dhe shërbime është në ngritje duke e pasur parasysh krizën që po kalojmë jo vetëm ne si Kosovë. Rritja e çmimeve të shërbimeve të tjera me automatizëm ka ndikim edhe në punën e përmbaruesve dhe në vend që ne si shoqëri të bisedojmë për ngritjen e tarifave të përmbarimit ne tash bisedojmë për ulje të tyre madje në masën 40%. Kjo është e dëmshme kjo është e gabuar dhe do të ketë efekte dhe pasoja të mëdha dhe afatgjate”, deklaroi Gashi.

Gashi i ka renditur disa nga pasojat e këtij udhëzimi administrativ. Largimi nga puna e punëtorëve që punojnë në zyrat e përmbaruesve, pala që kërkon borxhin e saj me këtë udhëzim do të duhet t’i paguajë shpenzimet përmbarimore dhe rritja e kamatave kreditore deri në 8%, janë disa nga këto pasoja që paralajmërohen se do presin sistemin përmbarimor.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Arben Gashi kërkon nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që sa më parë ta shfuqizojë këtë udhëzim administrativ të cilin e konsideron të dëmshëm dhe negativ.

Ne e kundërshtojmë në tërësi dhe kërkojmë shfuqizimin e tij të menjëhershëm dhe ne konsiderojmë që ky udhëzim i ri i ministres Haxhiu do të ketë pasoja shumë negative të dëmshme për një kohë të gjatë nëse i njëjti zbatohet prandaj kërkojmë shfuqizimin e tij….Haxhiun në vazhdimësi e kemi informuar për këto pasoja të mundshme që ne i parashohim dhe i kemi sugjeruar të mos ngutet me nënshkrimin e udhëzimit e kemi në proces në Kuvend ndryshimin e ligjit e ndryshojmë ligjin dhe dispozitën 13 i rregullojmë sikurse është standardi çdo ku në botë pastaj ulemi dhe bisedojmë për tarifa”, deklaroi ai.

Ai madje thotë se zbritja e tarifave përmbarimore në masën 40% e ka përdhosur punën dhe angazhimin e tyre 8 vjeçar.

Gashi ka thënë se nëse ky vendim nuk anulohet, atëherë udhëzimin administrativ do e sfidojnë me procedura gjyqësore, por nuk përjashtojë edhe veprime të tjera për të kundërshtuar udhëzimin.

Sa i takon ndalimit të ekzekutimit të përmbarimit të të ardhurve nga skema sociale e pensionale deri në shumën e pagës minimale, Gashi tha se kjo është rregulluar dhe funksionon tash e 5 vite, raporton KP.

Skema sociale, ndihma sociale nuk preket nga përmbaruesi që nga viti 2017, pra ka 5 vite që kjo punë është e rregulluar nuk ka nevojë të proklamohet diçka që është kryer para 5 vitesh kjo është veç në funksion nuk preket ndihma sociale nuk e di arsye se përse po përmendet tani një punë që është kryer para 5 vitesh, që po funksionon dhe po funksionon shumë mirë dhe tash pse duhet me i bë reklamë”, tha ai.

Gjatë kësaj jave ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nënshkroi udhëzimin administrativ përmes të cilit ulen në 40% tarifat e përmbaruesve privat. Sipas këtij, udhëzimi parashihet edhe lirim nga pagesa fillestare për kreditorët me gjendje të rëndë ekonomike.

Në Kosovë veprojnë 41 përmbarues privat.

/GazetaSinali/