image ​PDK zotohet se do t’i zbardh të gjitha abuzimet me privatizimet e pronave publike

Kosovë

​PDK zotohet se do t’i zbardh të gjitha abuzimet me privatizimet e pronave publike

news image

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se është akuzuar padrejtësisht për përfitime të paligjshme në procesin e privatizimit dhe sipas tyre, akuzat kanë ardhur nga ata që e kanë shfrytëzuar këtë proces për interesa të tyre.

Deputetët e PDK-së, që kishin iniciuar themelimin e komisionit hetimor për procesin e privatizimit, kanë thënë se do t’i publikojnë emrat dhe mbiemrat e të gjithë atyre që kanë abuzuar me pronat publike në Kosovë.

Deputeti Sejdi Hoxha ka thënë se këtë proces e kanë nisur me qëllim të zbardhjes së rasteve të keqpërdorimeve të mundshme që mund të kenë ndodhur me procesin e privatizimit.

“Ky komision do të bëjë çmos që të nxjerrë të vërtetën në dritë dhe gjatë punës që do të bëjë, do të publikohen me emër dhe mbiemër të gjithë ata persona apo grupe interesi, të cilët kanë përfituar jashtëligjshëm apo kanë abuzuar me pronën e shtetit”, tha ai.

Tutje, Hoxha foli edhe për listën e dëshmitarëve ku theksoi se PDK-ja do t’i propozojë komisionit që të rritet lista e dëshmitarëve.

“Komisioni ka hetuar listën e dëshmitarëve në të cilën janë përfshirë ish-ministra, të cilët sipas detyrës zyrtare kanë qenë edhe pjesë e privatizimit, gjithashtu pjesë e intervistimit do të jenë edhe drejtorët dhe kryetarët e bordeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe përfaqësues nga UNMIK-u të cilët në atë kohë kanë udhëhequr me AKP-në. Tani vetëm kemi filluar me fazën e intervistimit të dëshmitarëve, për të qenë sa më të saktë, të plotë, si PDK do t’i propozojmë komisionit që lista e dëshmitarëve të rritet në mënyrë që të kemi sa më shumë informata rreth këtij procesi. PDK do t’i propozojë komisionit hetimor që në listën e dëshmitarëve të përfshihen edhe ish kryetari i bordit të AKM-së, Andy Bearpark dhe drejtorët menaxhues, Herbert Schmidt, Yergen Mendricki dhe Jasper Dick”, tha ai.

Në këtë konferencë u tha se së shpejti do të prezantojnë edhe dëshmitarë të tjerë vendorë, të cilët mund të sjellin informacione për procesin e privatizimit në Kosovë./Gazeta Sinjali/