image ​Panxha: Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike duhet të jetë mbi 300 milionë euro

Kosovë

Ekonomi/ ​Panxha: Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike duhet të jetë mbi 300 milionë euro

news image

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka deklaruar se mbi 50 për qind e prodhuesve kanë pasur rënie të të hyrave prej 56 për qind gjatë periudhës me pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës, pas pakos emergjente, duhet të fokusohet në pakon e dytë të rimëkëmbjes ekonomike, në mënyrë që t’iu dilet në ndihmë prodhuesve dhe bizneseve vendore, pako kjo e cila duhet të sillet rreth mbi 2 për qind të GDP-së ose mbi 300 milionë euro.

Panxha në një intervistë për KosovaPress thotë se vendi do të përballet me rënie ekonomike deri në 4 për qind, porse me një reagim adekuat kjo rënie mund të zbutet. Sidoqoftë, ai paralajmëron se nëse do të ketë vonesa në reagim, atëherë vendi ynë do të zhytet në krizë të madhe ekonomike dhe sociale.

 “Ne e kemi bërë një anketë bashkërisht me organizatat tjera biznesore dhe e kemi pa që shumë sektorë të ekonomisë, përfshirë atë të prodhimit që edhe e përfaqësojmë, sektorin e ndërtimtarisë, tregtisë me shumicë dhe pakicë, janë prekur nga pandemia që e ka kapluar Kosovën. Për këtë arsye do të kemi vështirësi ekonomike. Tashmë po përballemi me vështirësi ekonomike për 2020. Sa i përket sektorit të prodhimit, mbi 50 për qind e prodhuesve kanë deklaruar se kanë pasur rënie të të hyrave 56 për qind. Kjo anketë është bërë në fillim të prillit. Tash do të thotë ka ndryshuar situata pasi prilli është duke i treguar efektet e para. Kemi rënie të fuqisë blerëse, qytetarët po shpenzojnë më pak për shkak që në këtë fazë shumë prej tyre kursejnë”, tha ai.

Panxha thotë se miratimi i pakos emergjente është një hap pozitiv, por që nga informatat që kanë nga terreni, ndihma e shtetit për sektorin privat nuk do të jetë e mjaftueshme.

 “Është shumë hap pozitiv që qeveria ka reaguar shpejt dhe e ka miratuar këtë pako fiskale, një pjesë e saj ka filluar të implementohet, një pjesë është në proces e sipër. Është më mirë të kemi një pako se mos të kemi fare. Se sa do të jetë efektive kjo pako në zbutjen e dëmit ekonomik, kjo mbetet të shihet. Nga informatat që kemi marrë nga terreni, ajo nuk do të jetë e mjaftueshme dhe duhet të dilet në fazën e dytë të rimëkëmbjes ekonomike që është faza ndoshta edhe më kritike sesa ajo emergjente. Ne po përballemi me vështirësi të shumta dhe qëllimi është që të minimizojmë dëmin ekonomik. Dëmi ekonomik nuk mund të largohet, pasi që humbjet e shkaktuara nuk mund të kthehen. Ne e dimë që kur ka filluar kjo pandemi, por nuk e dimë se kur do të përfundojë”, tha Panxha.

Ai thotë se prodhuesit po përballen me vështirësi të mëdha, ku një pjesë e tyre kanë vështirësi t’i paguajnë punëtorët, ndërkohë që ka pasur largim të punëtorëve për shkak se nuk ka pasur kapacitete prodhuese.

Sa i përket pakos së dytë që duhet të miratohet nga qeveria për sektorin privat, Panxha thotë se kjo pako duhet të sillet rreth mbi 2 për qind e GDP-së.

 “Pako e dytë duhet të sillet rreth mbi 2 për qind e GDP-së që është diku mbi 300 milionë euro të injektohen. Kjo është një shumë që shumë vende të rajonit dhe të BE-së e kanë injektuar. Ata që kanë pasur mundësi më të mëdha financiare si shtete, kanë shkuar deri në 10 për qind të prodhimit të brendshëm, përfshirë Danimarkën dhe disa vende të tjera pasi kanë fleksibilitet financiar. Kosova për fat të keq nuk e ka. Një hendikep i madh është paraliza politike në Kosovë, sepse shumë nga përkrahja financiare që do të mund të sigurohej për Kosovën duhet të jetë hua e jashtme dhe ajo për t’u miratuar duhet të kalojë nga parlamenti. Për fat të keq, Parlamenti në këtë kohë nuk është duke funksionuar siç duhet më shumë është duke u bërë politikë sesa ekonomi”, deksoi Panxha.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, potencon se përkundër ndihmave që do të jepen për sektorin privat, nuk do të mund të shpëtohen të gjitha kompanitë. Por, e rëndësishme sipas tij është që qeveria të merr reagime adekuate në kohë të duhur dhe të mos ketë vonesa.

 “Ne jemi në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Do të ketë kompani të cilat do të bankrotojnë. Shteti nuk mund t’i shpëtojë të gjitha, por Qeveria e Kosovës mund të minimizojë efektin negativ në ekonomi… Pas fazës emergjente, duhet të dilet me pakon e rimëkëmbjes. Është shumë me rëndësi se kur dhe si do të miratohet. Kosova do të ketë rënie ekonomike dhe recesion për herë të parë që nga viti 1999. Sa do të jetë kjo rënie, nuk e dimë. Kemi pasur parashikime nga 2 deri në 4 për qind. Me një reagim adekuat të qeverisë dhe në kohë të duhur, kjo rënie do të jetë më e ulët, por nëse kemi vonesa në reagim dhe gjithë energjitë e partive politike do të shkojnë për të bërë politikë sesa të asistojnë në tejkalimin e situatës ekonomike, atëherë Kosova do të zhytet në një krizë të madhe ekonomike dhe sociale”, deklaroi ai.

Pas përballjes së vendit me COVID-19, një numër i madh i bizneseve në sektorin privat janë mbyllur si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit. Qeveria në detyrë ka miratuar pakon emergjente 179.6 milionë euro./GazetaSinjali/