Pas marrëveshjes së Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator, sot janë nënshkruar edhe Letrat e Interesit për financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, e cila është njëra ndër pikat e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Letrat e Interesit janë nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit në SHBA Adam Boehler dhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit Kimberly Reed, për financimin e projektit që parashihet të lidhë Prishtinën dhe Nishin.
Boehler me këtë rast tha se “Autostrada e Paqes” do të drejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal, duke lidhur Nishin dhe Prishtinën dhe do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re transformuese midis Kosovës dhe Serbisë, si vende fqinje.
DFC dhe EXIM planifikojnë të dërgojnë delegacione në Kosovë dhe Serbi gjatë këtij muaji, për të çuar përpara punën në këtë projekt dhe projekte të tjera./Gazeta Sinjali/