Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth COVID-19 do të mblidhet sot për të shqyrtuar propozimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.
Siç ka njoftuar sot ky dikaster i drejtuar nga Armend Zemaj, do të mblidhen në orën 11:00.
Komiteti do të shqyrtojë disa propozime që kanë të bëjnë me kufizime të mundshme apo reduktime të veprimtarive në sektorë të ndryshëm, rritje të përkujdesit në institucione publike e private, rritje të kujdesit për grup-mosha e kategori të caktuara dhe të tjera.
Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës u bën thirrje qytetarëve të vendit që të zbatojnë me kujdes të shtuar masat në fuqi lidhur me kontrollin e situatës epidemiologjike rreth COVID-19.
Siç është bërë e ditur, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nga 1608 mostrat e testuara ka regjistruar 418 raste pozitive të virusit SARS COV-2 (infeksionit COVID-19), prandaj me qëllim që të evitohet marrja e masave ekstreme kufizuese nga qytetarët, bizneset, dhe veprimtaritë e tjera kërkohet që të zbatojnë me përpikëri masat antiCOVID-19 në fuqi.
Ministria e Shëndetësisë kërkon nga prindërit që të mos i ekspozojnë fëmijët e tyre në rreziqe për shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të paralajmëruara nëpër rrjete sociale si ato për Halloween, duke e ditur faktin se janë në fuqi vendimet që ndalojnë grumbullime të qytetarëve dhe organizime të ngjashme.
Ndërkohë, kërkohet nga Policia e Kosovës dhe inspektoratet përkatëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj shkelësve të vendimeve që lidhen me COVID-19, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19./Gazeta Sinjali/