Nisma për Ballkanin e Hapur, e nisur nga Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Serbia është mirëpritur nga kancelarja Angela Merkel.
Merkel në një konferencë për media tha se nisma mund të çojë në përparim por ajo “nuk do të donte që disa të kishin përshtypjen se ekziston një klub special”.
“Proceset duhet të jenë të hapura. Nëse tre nga gjashtë vendet (e Ballkanit Perëndimor) thonë se duan të bëjnë një hap, duhet të jetë e qartë se një vend i katërt do të përfshihet kur thotë se dëshiron të marrë pjesë. Ne duhet të kemi gjithmonë qëllimin për të qenë në fund të të gjashtë vendeve,” tha ajo.
Mirëpo kjo nismë nuk është mirëpritur nga Kosova. Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë.
Kryeministri Kurti ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.
Në këtë nismë, që është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.