image ​Konjufca: Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e Kosovës

Politikë

​Konjufca: Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e Kosovës

news image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një takim me senatoren republikane nga Iowa, njëherësh veterane e ushtrisë amerikane, Joni Ernst, deklaroi se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajonin tonë dhe në botë.

Në këtë takim, Senatorja Ernst shoqërohej nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Pete McAleer, Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, Atasheu ushtarak i ShBA-ve në Kosovë, Kolonel Stephen Rose, dhe Amy Carnie, Shefe e sektorit politik/ekonomik në Ambasadën Amerikane.

Konjufca ka shprehur falënderime dhe konsideratë të lartë për kontributin e SHBA-së dhe të senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme.

Ndërsa, senatorja Ernst përgëzoi Konjufcën për marrjen e detyrës së re dhe shprehu përkrahjen e pa rezervë të SHBA-së për Kosovën.

Ndryshe, senatorja republikane nga Iowa, Joni Ernst gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani./Gazeta Sinjali/