Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku është shprehur për heqjen e kompetencave të misionit evropian në vendin tonë, duke përkujtuar revoltën e marsit që sipas tij çoi në largimin e UNMIK-ut nga Kosova, shkruan Gazeta Sinjali.
Klinaku përmes një statusi në Facebook ka shkruar se ‘për shkak se shkelej dinjiteti nga ana e të huajve, revolta popullore e marsit 2004 e ka nxjerrë UNMIK-un nga Kosova’.
“Qysh në vitin 2011 iu kemi kërkuar si Organizata të Luftës së UÇK-së që t’ia hiqni kompetencat EULEX-it, dhe këta të huaj tash po na shkelin edhe shtetin. A mos po pret shteti edhe ndonjë revoltë?”, shkruan Klinaku.
EULEX-it i ka përfunduar mandati më 14 qershor. Në vitin 2018, misioni ekzekutiv i tij u ndryshua, për të kaluar në mision këshillëdhënës, pasi nga autoritetet në Kosovë u vlerësua se ky mision ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar se aferat e shumta për korrupsion brenda këtij misioni dhe rezultatet e pakta në luftën kundër krimit të organizuar e dëmtuan në masë të madhe kredibilitetin e tij.
E në korrik të këtij viti, ish-presidenti Hashim Thaçi është pajtuar për zgjatje teknike njëvjeçare të mandatit të EULEX-it me një letërkëmbim me shefin e diplomacisë evropiane.
“Jam shumë i kënaqur që kam kompletuar letërkëmbimin me Josep Borrell për zgjatjen e mandatit aktual të EULEX-it deri më 14 qershor 2021. Kjo periudhë do t’ua mundësojë institucioneve të Kosovës të përfitojnë më tej nga asistenca e BE-së në sundimin e ligjit dhe të na ndihmojë të bëjmë progres drejt BE-së”, pati shkruar Thaçi në Twitter.
Ndryshe, mandati i EULEX-it është negociuar çdo dy vjet dhe gradualisht është zvogëluar mandati dhe janë bartur kompetencat te vendorët.