image ​Hoti takon kryeministrin italian, zotohen për thellim të bashkëpunimit

Kosovë

​Hoti takon kryeministrin italian, zotohen për thellim të bashkëpunimit

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është takuar sot në Romë me kryeministrin e Republikës së Italisë, Giuseppe Conte.

Kryeministri Hoti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Italisë për avancimin e agjendës euro-atlantike të Kosovës. Hoti ka kërkuar nga Conte mbështetjen e qeverisë së tij për ta shtyrë këtë proces përpara, në veçanti vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kryeministri Hoti me homologun italian kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes. Duke vlerësuar lart kontributin thelbësor të Italisë në misionin e KFOR-it, Hoti ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës që në një të ardhme sa më të shpejtë të bëhet pjesë e Aleancës Veri Atlantike dhe ka kërkuar mbështetje për rritjen e kapaciteteve të FSK-së.

Gjatë takimit me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, Hoti ka insistuar po ashtu në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe praninë më të madhe të investitorëve italianë në Kosovë, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve dhe promovimin e turizmit.

Temë e veçantë diskutimi, sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Kryeministrit, ka qenë edhe bashkëpunimi Kosovë-Itali, në kohën që gjithë globi po përballet me pandeminë COVDI-19.

Kryeministri Hoti, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për ndihmën e grupit të mjekëve dhe infermierëve ushtarak italian që po qëndrojnë në Kosovë, në mbështetje të kolegëve të tyre, mjekëve kosovar, në luftën kundër koronavirusit.

Ndërkohë që ka theksuar solidaritetin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me familjet e viktimave nga COVID-19 në Itali. /Gazeta Sinjali/