Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka reaguar pas deklarimeve të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, mbi raportin e Parlamentit Evropian për rrëzimin e Qeverisë Kurti në mars të këtij viti, shkruan Gazeta Sinjali.
Abrashi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Isa Mustafa është një komunist i papërmirësueshëm, sipas të cilit ‘SHBA nuk duhet në mënyrë sovjetike’.
“Studimi mbi dezinformimin në Ballkanin Perëndimor thotë se dezinformimi është pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në të gjithë rajonin, pa përjashtim”, shkroi ai.
Postimi i plotë:
Po ta lexosh mirë reagimin e fundit të Isa Mustafës për Raportin e Këshillit të Evropës, lehtësisht vëren një lloj narrative të njohur.
Thotë se raporti është i motivuar nga blloku kundërshtar ideologjik, dhe për këtë gjë do ta njoftojë internacionalen e bllokut ideologjik që i takon.
Thotë se arsyeja e rrëzimit të Qeverisë ishte dëmtimi i raportit me aleatin e fuqishëm të orientimit që i takon.
Akuzon palët që hartuan raportin për përpjekje për ta devijuar orientimin strategjik të Kosovës,
Ju lutem! Tregoni dikush këtij KOMUNISTI të papërmirësueshëm se gjuha e Kumrovcit është e tejkaluar, Lufta e Ftohtë ka përfunduar, dhe Amerika nuk duhet në mënyrë sovjetike!
Ndryshe, një studim i Komitetit për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, i publikuar këtë muaj lidhur me rolin dhe ndikimin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor 2018-2020, zbulon modelet dezinformuese dhe antidezinformuese mediale në raport me opinionin publik, të cilat kanë ndikuar në masë të madhe në ndryshimin e kursit dhe opinionit publik, madje edhe me rrëzime qeverish.
Studimi mbi dezinformimin në Ballkanin Perëndimor thotë se dezinformimi është pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në të gjithë rajonin, pa përjashtim. /Gazeta Sinjali/