Bastoret dhe lojërat e ndryshme të fatit po e vazhdojnë veprimtarinë e tyre ilegalisht duke mos e respektuar Ligjin i cili ua ndalon një gjë të tillë, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës njofton se gjashtëmbëdhjetë persona janë shoqëruar në stacionin policor gjatë së dielës në Podujevë dhe janë intervistuar, pasi janë parë në një lokal pa mbishkrim, ku zhvilloheshin veprimtari të lojës së fatit dhe bastore.
Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar pajisje të cilat dyshohen të kenë shërbyer për lojëra të fatit si dhe disa para të gatshme.
“Me vendim të prokurorit të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Policia e Kosovës është në dijeni që kjo veprimtari në shumë raste ushtrohet ilegalisht dhe sa herë që ka informacione të sakta, organizon aksione nëpër qytete të ndryshme, të cilat kanë rezultuar edhe me të arrestuar.
Vendimi për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit u mor në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2019. Në një afat dhjetë vjeçar, të gjitha lokalet me lojëra fati obligohen të mbyllen.