Agjencia e Pyjeve të Kosovës sot u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i mbrojnë pyjet nga zjarret, pasi në situatën e krijuar me koronavirus, është shfaqur numër i madh i tyre, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet dhe sipërfaqe të pyllëzuara viteve të fundit.
APK apelon po ashtu te të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, njësitë komunale të APK-së, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës për koordinim të veprimeve dhe të resurseve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe për mobilizim në shuarjen e tyre.
APK kërkon mobilizim dhe kujdes të shtuar të rojeve të pyjeve që të përcjellin situatën dhe të identifikojnë keqbërësit, si dhe të japin informata me kohë tek organet e rendit për personat që po shkaktojnë zjarret, ndaj të cilëve kërkon të ndërmerren masa konform ligjeve në fuqi.
“Ju lutemi, kujdes dhe mos ndizni zjarre. T’i ruajmë pyjet, pasi ato janë resurse të çmuara kombëtare dhe nga të cilat varet jeta jonë”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali/