image ​Qeveria synon ta shndërrojë Obiliqin në qytet të gjelbër

Kosovë

​Qeveria synon ta shndërrojë Obiliqin në qytet të gjelbër

news image

Qeveria e Kosovës po synon ta shndërrojë komunën e Obiliqit në një qytet të gjelbër. Përkundër ndotjes së madhe nga termoelektranet e KEK-ut, ekzekutivi po zotohet që në bashkëpunim me nivelin lokal të përmirësojnë cilësinë e ajrit në këtë qytet.

Këto zotime qeveritare erdhën nga zëvendëskryeministri Besnik Tahiri dhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientin, Muharrem Nitaj, të cilët qëndruan sot për vizitë në Komunën e Obiliqit.

I dyti i qeverisë gjatë kësaj vizitë shprehu fjalët më të mira për kryetarin e komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili, sipas tij, ka treguar një lidership në menaxhim.

“Zotëri Gashi me angazhimin e tij dhe lidershipin në Obiliq ka dhënë një argument se është një kryetar model, përveç punës që e bën, ka treguar edhe një lidership për kërkesën e miratimit të Ligjit për Obiliqin…Diskutuam nevojat që duhet t’i ngrisim që sa më shumë të ndihmojmë qytetin dhe komunën në mënyrë që ambientin dhe ajrin ta kemi sa më të mirë në këtë qytet dhe u zotuam për një mbështetje afatmesme në këtë qytet”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësministri Nitaj tha se po punojnë që Obiliqin ta shndërrojnë në qytet të gjelbër.

“Po provojmë në bashkëpunim me Komunën dhe pushtetin qendror që Obiliqin të shndërrojmë në një qytet të gjelbër. Besoj që jemi në një rrugë të mbarë dhe mbështetja nuk do të mungojë”, tha ai.

Ndërsa i pari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha kjo vizitë është dëshmi e bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal.

“Kjo është dëshmi që pushteti lokal me pushtetin qendror janë në bashkëpunim të vazhdueshëm. Obiliqi nuk do t’i kishte këto suksese po të mos ishte niveli qendror i kaluari dhe i tanishmi. Unë i njoftova për zhvillimet që janë në komunën tonë, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me nivelin qendror”, tha ai.

Pas takimit në objektin e Komunës, që të tre zyrtarët institucionalë vizituan sheshin e qytetin dhe një park në qytet./Gazeta Sinjali/