Po hyjmë në javën e tretë prej kur ka nisur viti i ri shkollor dhe nxënësit ende nuk janë pajisur me të gjitha tekstet shkollore.
Për këtë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, po e hedh fajin te komunat, ndërkaq këto të fundit po kërkojnë nga ministria që t’i përmbushë detyrën ligjore për pajisje të nxënësve me libra.
Kritika për vonesën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore kanë edhe prindërit, të cilët thonë se kjo vonesë vetëm sa po e vështirëson procesin mësimor edhe ashtu problematik për shkak të pandemisë.
Rreth mungesës së librave për nxënësit e klasave të gjashta, shtata dhe të nënta, ministria e Arsimit ua ka hedhur fajin komunave, duke thënë se ata kanë qenë të njoftuar qysh në shtator se nuk do të ketë libra të ri dhe se për këto klasë do të përdoren librat e vitit paraprak.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se Ministria e Arsimit në bazë të legjislacionit në fuqi është përgjegjëse për furnizimin e nxënësve me libra shkollor.
Ai thotë se në katalogët që kanë mbushur DKA-të, kanë njoftuar ministrinë se sa nxënës nëpër klasa mund të pajisen me tekste dhe për sa nxënës ka mungesë të librave.
Sipas tij, është e pakuptimtë që ministria fajëson komunat për këtë çështje.
“Të gjitha drejtoritë komunale i kanë mbushur këto shënime në katalogun e cila i është dërguar ministrisë në mënyrë elektronike dhe është sistemi ku në mënyrë automatike dërgohen të dhënat në Ministrinë e Arsimit dhe aty shihet saktë se sa nxënës nëpër klasa mund të pajisen me tekste shkollore dhe për sa nxënës ka mungesë të librave shkollor”, tha ai.
Sipas tij, ministria ka qenë e njoftuar dhe këtë ua ka kërkuar komunave.
“Pastaj problemi është që kjo është e rregulluar me një udhëzim administrativ ku thuhet që librat apo tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë, por problemi është që nuk mund ta obligosh një nxënës t’i kthej librat”, theksoi Ibrahimi.
Ibrahimi deklaron se komunat janë përgjegjëse vetëm për shpërndarjen e teksteve që marrin nga niveli qendror dhe se nuk kanë faj pse ministria nuk i ka furnizuar qind për qind me libra.
Një vonesë e tillë për furnizim të nxënësve me tekste shkollore vetëm sa do ta dëmtojë edhe më shumë procesin mësimor sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve të Prishtinës , Jeton Demi.
Ai thotë se meqenëse procesi mësimor ka nisur me katër javë vonesë nuk kanë pritur që fëmijët do të përballen me mungesë të teksteve shkollore.
“Në këtë situatë që jemi të pandemisë, kur edhe jemi vonuar me fillimin e procesit mësimor , vonesat e mëtejme të furnizimit me libra vetëm do të na dëmtojnë edhe më shumë kur jemi futur në mesin e tetorit tashmë gati me mos furnizim të plotë me libra”, u shpreh ai për KP.
Sipas tij, duhet të qartësohet një herë e mirë se a do të furnizohen apo nuk do të furnizohen fëmijët me libra.
“Duhet që të ketë organizim dhe planifikim paraprak edhe të strukturave të prindërve që nëse nuk ka furnizim rastet kur prindërit nuk mund t’i blejnë librat të angazhohemi dhe t’i blejmë ne për ta. Por, duhet të bëhet planifikimi me kohë dhe deklarimi i saktë, jo të planifikohet diçka tjetër e të vijmë në këtë situatë ku nuk i kemi librat në shkollë“, përfundoi ai./GazetaSinjali/