image ​Opozita kundërshton zgjatjen e afatit për masat emergjente me furnizim të energjisë - Sinjali

​Opozita kundërshton zgjatjen e afatit për masat emergjente me furnizim të energjisë

news image

Në mungesë të kuorumit, deputetët nuk kanë përkrahur mocionin procedural për të hyrë në rend të ditës zgjatja e masave emergjente me furnizim të energjisë. Opozita nuk ka përkrahur këtë mocion të propozuar nga pozita, meqë sipas tyre duhet të ketë një raport financiar gjatë kësaj kohe. Vetëm 56 deputetë kanë votuar, Kuvendi nuk ka pasur kuorum për ta përfshirë këtë pikë në rend të ditës.

Kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Jeta Statovci ka propozuar mocionin procedural për plotësim të rendit të ditës me shqyrtimin e vendimit të Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Nën këtë arsyetim, në bazë të nenit 42 të rregullores së Kuvendit, komisioni mund t’i propozojë me shkrim kryetarit të Kuvendit një amendament për rendin e ditës për mbledhjen plenare të Kuvendit, duke pasur parasysh faktin se propozimi për plotësimin e rendit të ditës për mbledhjen plenare të kuvendit konsiderohet çështje e ngutshme, për shkak të rëndësisë së miratimit të këtij vendimi, komisioni propozon amendament për plotësimin e rendit të ditës së mbledhjes plenare të Kuvendit të datës 24.02.2022”, ka propozuar ajo.

Me këtë është pajtuar deputeti Armend Muja në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha se është e çuditshme të sillet me procedurë jo të rregullt dhe të kërkohet një mocion procedural pa e pasur raportin financiar të buxhetit të Kosovës gjatë kësaj kohe.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk e mbështetë këtë mocion procedural për arsyet si në vijim: sot ne do të duhej ta kishim një raport para se të kishim një kërkesë për atë që kaluam bashkë këta dy muaj, ne i dhamë mundësi që Qeveria të shpallë gjendjen emergjente. Duhet të kishte një raport nga Ministria dhe Qeveria se çka bëri me fazën që kaloi emergjente në vend, çka bëri saktë, çka punoi saktë, sa shpenzoi saktë për dy muaj të fazës emergjente në sektorin e energjisë”, ka thënë Shala.

Me këtë nuk është pajtuar as deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Ne para dite u thirrem në mbledhje të jashtëzakonshme për të sjell në kuvend zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji. Grupi Parlamentar nuk e përkrah këto masa emergjente. Nuk pajtohet me tarifat e reja që janë të pa përballueshme për qytetarët dhe nuk pajtohet me mënyrën e diskriminimit të subvencionimit nga ana e qeverisë. Propozimet e tona si LDK në dy debate i kemi sjellë në Kuvend dhe kemi propozuar rezoluta. Mazhoranca nuk i ka votuar, ne jemi kundër dhe si duket kjo qeveri në të gjithë sektorët po vonohet dhe është vonuar në këtë kërkesë”, ka deklaruar ajo.

Deputeti i AAK-së, Palë Lekaj tha se kanë një raport të mangët.

Të bihet brenda tri orëve një vendim I tillë për shtyrjen të afatit dhe të kërkohet një mocion procedural është e papranueshëm. Neve na duhet kohë dhe ministrja të na bind që me të vërtetë është e nevojshme. Sepse edhe në Komisionin për Ekonomi e kam potencuar sepse është raport i mangët dhe pa hyrë në specifika, mendoj që ne sot nuk jemi në gjendje që të përkrahim një mocion procedural”, tha ai, shkruan KP.

Qeveria e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim për zgjatjen e afatit prej 30 ditësh për masat emergjente në furnizim me energji.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin