image ​MSh s’ka informacione për numrin e kosovarëve që janë vaksinuar jashtë vendit - Sinjali

​MSh s’ka informacione për numrin e kosovarëve që janë vaksinuar jashtë vendit

news image

Ministria e Shëndetësisë nuk ka informacione se sa kosovarë u imunizuan kundër COVID-19 jashtë vendit.

Në të dhënat që flasin për numrin e qytetarëve të vaksinuar, nuk përfshihen edhe banorë të cilët kanë marrë dozat në vende të tjera. Përkundër mungesës së informacioneve, mendohet se numër i madh i tyre janë vaksinuar në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Ministri i Shëndetësisë deklaron se është e pamundur që të dihet një gjë e tillë, ndërkaq opozita thotë se një informacion i tillë është i domosdoshëm.

Vet ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të tri dozat e vaksinës i ka marrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se emri i tij nuk figuron në listat e të vaksinuarve në Kosovë.

“Unë nuk e kam atë informatë, është gati e pamundur që të merret ajo informatë. Unë jam qytetar i Kosovës tani dhe i kam marrë tri vaksinat e mia në Amerikë. Unë nuk qëndroj askund në listë”, deklaron ai.

Megjithatë, sipas tij kjo nuk paraqet problem klinik.

Këto informacione janë të rëndësishme për faktin se ata të vaksinohen, ai është fakti më i rëndësishëm. Tani për tani do të jetë shumë e vështirë që ne të dimë kush është vaksinuar jashtë Kosovës… Ne duhet të kërkojmë prej njerëzve në të gjithë botën se sa kosovarë janë. Është një problem jashtëzakonisht i madh, por jo problem klinik për ne”, shton ai.

Ndryshe mendon deputeti i AAK-së, njëherit anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj i cili thotë se një informacion i tillë është i domosdoshëm për vendin.

“Informata lidhur me numrin e vaksinave të cilat janë marrë jashtë Kosovës, qoftë në Shqipëri, Serbi apo Maqedoni është shumë e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme për vendin. Për shkak se kemi shifrat reale të personave të vaksinuar në vend. Realisht unë mendoj që këto të dhëna janë të mangëta në Ministri të Shëndetësisë, në veçanti të dhëna të cilat përkojnë me numrin e vaksinave të marra në Serbi. Dhe pastaj po ashtu lidhur me qytetarët të cilat kanë dy shtetësi apo janë banorë edhe të Serbisë dhe të Kosovës”, shprehet ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi deklaron se ka pasur organizime të shumta për vaksinim të komunitetit serb jashtë Kosovës.

“Nga komuniteti serb në Kosovë kanë bartur në mënyrë të organizuar me autobusë për t’i vaksinuar. Kjo tregon që një shifër e caktuar e konsiderueshme ka qenë të imunizuar në Republikën e Serbisë”, tregon Mustafi për KP.

As Mustafi nuk disponon të dhëna për numrin e të vaksinuarve në të tri komunat në Luginë, por thekson se banorët serbë në masë të madhe janë imunizuar me vaksinën kineze dhe atë ruse.

Në Kosovë deri më tani janë vaksinuar me dozën e dytë mbi 800 mijë qytetarë. Ndërkaq, janë dhënë rreth 88 mijë doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin