image ​Mjekët sugjerojnë vaksinimin e fëmijëve, MSh së shpejti me vendim - Sinjali

​Mjekët sugjerojnë vaksinimin e fëmijëve, MSh së shpejti me vendim

news image

Ministria e Shëndetësisë është duke e shqyrtuar mundësinë e aplikimit të vaksinave kundër COVID për të gjithë fëmijët e moshave 12-vjeç e tutje.

Ndërsa, ekspertët shëndetësorë kërkojnë që Kosova të nisë sa më parë imunizimin edhe të kësaj kategorie me qëllim që të zvogëlohet mundësia e përhapjes së varianteve të reja në Kosovë.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ka thënë se tashmë në Kosovë aplikimi i vaksinës antiCOVID po bëhet vetëm te fëmijët e moshave prej 12-vjeç, që kanë sëmundje apo imunitet të komprometuar.

Ndërsa, shtoi se Komiteti i Vaksinimit në ditët në vijim do të marrë një vendim për vaksinimin në masë të këtyre moshave.

“Vendimi i Komitetit për imunizim ka qenë që prej moshës 12-vjeç deri në 16 sipas indikacione të vaksinohen nga mosha 16-vjeç të gjithë kanë mundur të vaksinohen dhe unë prapë i bëjë thirrje që ta shfrytëzojnë të drejtën sepse është arma e vetme për luftën kundër COVID-19“.

“Tashmë ekziston mundësia e vaksinimi nga mosha 12-vjeç, por të dhënat shkencore që japin DSD, SHBA, BE që flasin për vaksinim në masë edhe të kësaj moshe janë në shqyrtim nga Komiteti i Vaksinimit. Në ditët në vazhdim do ketë shqyrtim dhe vendim nga ana e Komitetit”, theksoi ai.

E specialistja e mjekësisë familjare, Aurora Dollenberg thotë se Kosova është vonuar për vaksinimin e moshave shkollore, sidomos tani kur edhe ka nis procesi mësimor.

Prandaj, ajo e sheh tejet të nevojshme që sa më parë edhe fëmijët kosovarë nga mosha 12-vjeç e tutje të imunizohen.

Dollenberg e cila është edhe kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë për KosovaPress thotë se fëmijët e moshave 12-vjeç e tutje duhet të vaksinohen me Pfizer dhe se kjo vaksinë nuk ka treguar efekte negative deri tani tek këto mosha.

“BioNtech i Pfizer-it ka vërtetuar tek miliona fëmijë që janë vaksinuar me këtë vaksinë në këtë vaksinë me gjithë botën se është e tolerueshme dhe fëmijët nuk kanë treguar asnjë efekt anësor. Pra, fëmijët mbi moshën 12-vjeç prej 6 muajsh e kanë marr dritën jeshile që të vaksinohen me këtë vaksinë e cila me sa duket është shumë e sigurt dhe me efikasitet të lartë se rrit trupat mbrojtës tek fëmijët duke mbrojtur jetën e fëmijëve edhe nga komplikacionet vdekjeprurës sidomos të varianteve të reja që mund ta themi si mjekë që edhe Kosova duhet ta jap vaksinën e BioNtech tek moshat shkollore”, u shpreh Dollenberg.

Edhe pediatri, Ramush Bejiqi i bashkohet thirrjes që Kosova të nis vaksinimin e fëmijëve.

Ai thotë se dozat e vaksinimit duhet të jepen konform peshës trupore dhe moshës së fëmijëve.

Bejiqi thotë se vaksinimi antiCOVID nuk ka efekte anësore përveç se rrit imunitetin e fëmijëve karshi pandemisë.

“Nuk besoj që vaksina kundër virusit COVID-19 do ketë efekte anësore më shumë sesa që kemi pasur te të rriturit, por mendoj se anët pozitive janë shumë të mëdha. Mendoj se do e rris imunitetin shumë dhe se kjo është rruga për ta menaxhuar më së miri komplet pandeminë në Kosovë, ne e kemi parë që prej COVID-19 nuk janë fëmijët e eliminuar”, tha ai.

Vaksinat Pfizer tashmë janë të autorizuara për këdo që është 12-vjeç e lartë./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin