Në qytetin e Mitrovicës janë licensuar tre laboratorë privatë, të cilët bëjnë vetëm teste serologjike për COVID-19.
Në laboratorët “Damed”, “Fati” dhe “Hipokrati” (ky i fundit akoma nuk ka filluar punën), teste bëhen përmes mostrave të gjakut, në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur virusin korona.
Numri i qytetarëve të interesuar për kryerjen e këtyre testeve është i madh, por ata nuk pranuan të flasin para kamerës, ndërsa kërkuan nga Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrë veprime të nevojshme për të realizuar edhe testimet virologjike nëpër rajone.
Teuta Fejza, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë, ka bërë të ditur se në këtë qendër bëhen vetëm mostrimet e pacientëve për testin PCR të koronavirusit, të cilat dërgohen në IKSHPK, ku edhe analizohen.
Sipas saj, numri i të interesuarve për këto teste në rajonin e Mitrovicës, që përfshinë edhe komunat e Skënderajt dhe Vushtrrisë, brenda ditës është deri në 40 persona, por ndonjëherë arrinë edhe në 100 dhe rezultatet kryhen brenda 24 orëve.
“Në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë, bëhet mostrimi i pacientëve për testin PCR të COVID-19. Pacientët mostrohen tek ne dhe mostrat dërgohen në IKSHP, ku edhe punohen. Testet tona janë të sigurta, të vërteta, të sakta dhe punohen nga profesorët dhe doktorët më eminentë të Kosovës. Nëse i përfshijmë tri komunat, ndonjë ditë kemi 30, 40, e ka ditë që kemi pasur deri 100 mostra, të cilat i kemi punuar”, ka thënë Fejza.
Duke folur për statistikat, ajo tha se deri tani në komunën e Mitrovicës 41 persona kanë humbur jetën nga ky virus dhe janë gjithsej 103 raste aktive, derisa apeloi tek qytetarët që të respektojnë përdorimin e maskave, distancën dhe mbajtjen e higjienës.
“Në Mitrovicë, prefj fillimit të epidemisë kanë qenë 711 raste pozitive me virusin korona, prej tyre 567 raste janë shëruar, 41 persona kanë vdekur, ndërsa aktivë pozitivë janë 103 raste”, thotë Fejza, duke porositur qytetarët që ta respektojnë distancën, higjienën personale dhe bartjen e maskave/GazetaSinjali/