image ​Kurti: Ka një iniciativë franko-gjermane, por nuk ka diçka përfundimtare

Politikë

​Kurti: Ka një iniciativë franko-gjermane, por nuk ka diçka përfundimtare

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron t’i jap më shumë fuqi Miroslav Lajçak, por sipas tij nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhet se ky është propozimi franko-gjerman lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se në takimin e 18 gushtit në Bruksel ka prezantuar një kornizë të përgjithshme të dialogut.

Këto komente Kurti i bëri nga Gjilani pas takimit që zhvilloi me kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni.

“Unë kam propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut, ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi fanko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruskel, Washington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë. Unë kam zotim të plotë për transparencë për procesin, por është edhe konfidencialiteti i bisedimeve paralelisht me transparencën e procesit, dhe të gjitha idetë me të cilën shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë të ndryshmit nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është le të themi në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj. Pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha ai.

Lidhur me trendet ekonomike, Kurti theksoi se të arriturat janë të pakontestuara dhe në këto kanë ndikuar edhe vullneti i disa vendimeve të Qeverisë.

Lidhur me kritikat e opozitës për këto trende, Kurti tha se opozita e sulmon dhe kritikon sepse e ka detyrë.

“Asnjëra prej shifrave që unë kam prezantuar nuk është kontestuar opozita më sulmon, opozita më kritikon sepse e ka këtë detyrë për nga natyra, mirëpo përndryshe të arriturat tona janë të padiskutueshme. Nuk mund të them se rritja e bizneseve të ekonomisë në përgjithësi e në veçanti e eksporteve është dora e qeverisë, por është vullneti dhe disa vendime të qeverisë, dora është e punëtorëve, punëtorët që kanë prodhuar e që pastaj bëhet eksporti ata e kanë dorën ne e kemi vullnetin dhe vendimin”, u shpreh Kurti.

/GazetaSinjali/