image ​Hoti kërkon heqjen e vizave në Parlamentin Evropian

Politikë

​Hoti kërkon heqjen e vizave në Parlamentin Evropian

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi sot në Parlamentin Evropian se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës është çështja më e rëndësishme sa i përket perspektivës evropiane.

Ai shfaqi bindjen se Kosova do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe për ne është shumë e rëndësishme të hapen kufijtë. Po punojmë së bashku me opozitën për këto procese, sidomos për dialogun. Unë pas çdo raundi të dialogut do t’i raportojë Kuvendit. Kur të arrihet marrëveshja, na duhet shumica në Kuvend dhe jemi duke punuar me parime shumë të qarta për të arritur këtë marrëveshje”, tha Hoti.

Ai ka folur edhe për Dhomat e Specializuara, për të cilat tha se do të respektohen, teksa shtoi se Qeveria e Kosovës po angazhohet për sundimin e ligjit dhe se nuk do të bëjë asnjë kompromis në këtë drejtim.

“Kosova është e interesuar për integrime në BE, pasi ndan vlera të njëjta”, u shpreh ndër tjera Hoti në fjalën e tij para deputetëve evropianë.

Kryeministri Hoti po qëndron sot për vizitë zyrtare në Bruksel, gjatë së cilës është takuar me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Grupin e Miqësisë së Kosovës në PE, eurodeputetët, si dhe Komisionin për Punë të Jashtme në PE. /Gazeta Sinjali/