Anthony Fauci, një epidemiolog dhe anëtar i Shtabit të Krizave pranë Shtëpisë së Bardhë, thotë se SHBA duhet të dyfishojnë numrin e testeve në javët e ardhshme dhe mendon se kjo do të jetë e mundur.
Në Shtetet e Bashkuara, vdekjet nga koronavirusi tejkalojnë shifrën 53.000.
Fauci vlerësoi se SHBA po teston rreth 1.5 deri 2 milionë njerëz në javë dhe se në javët e ardhshme kjo shifër duhet të dyfishohet.
Ai vuri në dukje se po i referohej testimit diagnostik të koronavirusit, jo testimit të antitrupave. Ai gjithashtu tha se testimi është i rëndësishëm, por se identifikimi, izolimi dhe kërkimi i kontakteve janë të domosdoshëm, transmeton CNN.
Fauci dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk pajtohen për kapacitetet e vendit për të testuar koronavirusin në mes të një pandemie.
“Ne absolutisht duhet të rrisim në mënyrë të konsiderueshme, jo vetëm numrin e testeve, por edhe aftësinë për t’i realizuar ato”, tha Fauci në një intervistë të enjten, dhe Trump iu përgjigj atij në të njëjtën ditë se nuk pajtohet me mendimin e tij, pasi që Amerika po bën “një punë të shkëlqyeshme”.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje të kryejnë me miliona teste çdo javë para se të hiqen masat kundër koronavirusit.
Deri më tani, SHBA ka kryer rreth katër milionë teste për koronavirus, dhe qeveritarët raportojnë një mungesë të vazhdueshme të materialeve të nevojshme për testime.