Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku e ka ftuar opozitën që të jetë pjesë e proceseve të rëndësishme të Kosovës.
Sipas tij, prezenca e ministrive të pakicës është obligim kushtetues i Kosovës, ani pse Lista Serbe ka abstenuar sot gjatë votimit të ekzekutivit të ri.
Krahas kësaj, Abdixhiku, tha se qeveria e sapo formuar është funksionale, dhe nuk ka problem në kalimin e ligjeve.-
“Prezenca e ministrave të pakicës është obligim i rregullimit kushtetues të Kosovës. Prandaj, si partner të koalicionit kemi vendosur ta respektojmë në plotëni. Natyrisht se Qeverisë së Kosovës i duhet stabilitet në numra, dhe është mirë që sa më shumë stabilitet të krijojmë me deputet të Republikës së Kosovës. E rëndësishme është që sot kemi një qeveri funksionale që ka shumicë, kemi një Kuvend funksional me një kryetare të Kuvendit të re. Prandaj nuk shoh asnjë problem në kalimin e ligjeve nga qeveria në kuvend e tutje”, tha Abdixhiku.
Sa i përket fjalimeve të taborit të opozitës gjatë ditës së sotme, të cilët nuk u kursyen në kritika, ai nuk ka dashur të komentojë ato, megjithatë ai ka ftuar që të jenë pjesë e proceseve të rëndësishme të Kosovës. /Gazeta Sinjali/