image ​Turizmi në Shqipëri, 91 milionë euro të ardhura për 6 muaj

Shqipëri

​Turizmi në Shqipëri, 91 milionë euro të ardhura për 6 muaj

news image

Të ardhurat nga turizmi në Shqipëri shënuan vlerën 91 milionë euro në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në këtë periudhë bilanci i udhëtimeve që matë diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit, shënoi vlerë pozitive, ndonëse në rënie krahasuar me një vit më parë, për shkak të pandemisë.

Të huajt shpenzuan në Shqipëri 63 milionë euro në tremujorin e dytë, ose 87%, më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa shqiptarët në udhëtimet e tyre jashtë shpenzuan 65 milionë euro, ose 85% më pak se në vitin 2019.

Referuar të dhënave të INSTAT numri i shqiptarëve që dolën nga vendi në gjashtëmujorin e parë 2020, është 1.380.308, duke rënë 48%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është 781 mijë e 894, duke rënë me 63,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në vitin 2019, bilanci i udhëtimeve arriti vlerën 500 milionë euro, të huajt shpenzuan rreth 2 miliardë euro në udhëtimet në Shqipëri, ndërsa shqiptarët harxhuan jashtë rreth 1.5 miliardë euro.

/GazetaSinjali/