image ​Përurohet ura në Breznicë, lidh Kamenicën me Bujanocin

Kosovë

​Përurohet ura në Breznicë, lidh Kamenicën me Bujanocin

news image

Është përuruar sot ura që lidhë Kamenicën me Bujanocin dhe Luginën e Preshevës, projekt ky që është realizuar për më pak se tre muaj që prej vënies së gurthemelit.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, gjatë ceremonisë së përurimit, tha se ndërtimi i kësaj ure do të lehtësojë qarkullimin dhe lëvizjen e qytetarëve të të dy anëve.

“Uroj që ky projekt ka me qenë një fillim i mbarë e i mirë që në të ardhmen mos me u përmend e me u harru, po si shtet dhe komunë e Kosovës sa shumë kemi me u angazhu me ua bë jetën më të lehtë. Po e shfrytëzoj rastin me i kërku edhe Qeverisë së Kosovës dhe të gjithëve që Lugina e Preshevës është një prej vendeve që po ballafaqohet me sfidat dhe padrejtësitë më të mëdha me qenë më prioritet në aspektin e komunikimit, ndërlidhjes me autostradën qoftë hekurudhë ose diçka tjetër”, deklaroi ai.

Përfundimin e këtij projekti e quajti “ditë të madhe” kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, i cili tha se ky projekt është i pari që realizohet mes Kosovës e Serbisë që nga paslufta.

Hera e parë që pas vitit 1999, është një objekt që bëhet mes dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Shpresojmë të kemi edhe projekte tjera. Nuk e kemi pasur lehtë ne, sidomos pjesa e Bujanocit, sepse është dashur të vijnë disa materiale për ndërtimin e kësaj ure, nga Bujanoci dhe të kalojnë punktin”, tha Arifi raporton kp.

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa tha se këtë shembull të bashkëpunimit duhet ta ndjekin të gjithë, pasi që siç tha ai, vetëm përmes një vizioni të tillë ndihmohen qytetarët e Luginës.

“Ky është një nga projektet shumë të mira kur vizioni ndërtohet në bashkëpunim dhe bashkërendim të shqiptarëve të këtushëm, kur ka për qëllim lehtësimin e komunikimit mes qytetarëve. Ky bashkëpunim dhe ky bashkërendim duhet të vazhdojë edhe më tutje. Jam i bindur që vetëm përmes një vizioni të tillë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe komunave të Kosovës do të mund të lehtësohet jeta e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Mustafa.

Të kënaqur me ndërtimin e urës u ndanë kryetari i Këshillit lokal të Karaçevës së Ulët, Selver Lenjani dhe ai i Breznicës, Nazim Hajdini.

Këta të dy vlerësuan se po kthehet jeta në këtë zonë, derisa uruan që projekte të ngjashme bashkëpunim të ketë edhe në të ardhmen. /GazetaSinjali/