image ​Përplasen Albin Kurti e Daut Haradinaj

Kosovë

Politikë/ ​Përplasen Albin Kurti e Daut Haradinaj

news image

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka thënë që kryeministri Albin Kurti është ankuar te ndërkombëtarët për ish-kryeministrin Ramush Haradinajn, lidhur me taksën.

E ketë nuk e ka pranuar kryeministri i cili tha se kjo është gënjeshtër. Aty pati një përplasjen verbale në mes të shefit të deputetëve të Aleancës dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Nuk ia dua të keqen as kësaj qeverie as një zyrtari të institucioneve, por qasja prej fillimit, ose mashtrimi që ua kanë bërë se do ta heqim taksën e ka sjellë Albin Kurtin në këtë pozitë. Sepse u ka premtuar, u ka thënë hiqmani Ramush Haradinajn se unë e kryej këtë punë dhe përfundimi po shihet ku janë”, tha Daut Haradinaj.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se nuk është e vërtetë që është ankuar te ndërkombëtarët për Haradinajn ose ndonjë politikan kosovar.

“Sa për atë që unë ankohem për ndonjë politikan te ndërkombëtarët, harroje, ajo është gënjeshtër, kushedi që u ka thënë u ka rrejt”, u përgjigj Kurti.

Megjithëkëtë, pati përsëri kundërpërgjigje nga Haradinaj, i cili i përmendi Kurtit edhe takimin me kryeministren serbe Ana Bërnabiq.

“E kuptoj nervozizmin, por nuk ke nevojë të bëhesh nervoz, apo i dëgjon deputetët e koalicionit tënd se çka po të thonë. Edhe kur ke shkuar në Berlin, edhe kur ju ke zgërdhi Bërnabiqit, edhe kur ke fol me atë tjetrin, u ke thënë s’di sa herë. Nuk ke bërë mirë se nuk është problem individi, urdhëro merri vendimet vetë. Në fund do ta shohësh se të njëjtit kanë me të çuar, mos ke merak. Nuk jemi këtu ta rrejmë askënd”, ia ktheu Haradinaj.

Kryeministri Kurti tha se kushdo që e ka thënë këtë, ai sipas tij, vetëm ka gënjyer.

“Kurrë nuk i zgërdhihem Bërnabiqit as asnjë zyrtari të Serbisë, absolutisht nuk është e vërtetë”, tha Kurti.

Këto përplasje u bënë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës e thirrur për të diskutuar raportet Kosovë-SHBA. /Gazeta Sinjali/