Ministria e Punëve të Brendshme, pas shqetësimeve të ngritura rreth sigurisë fizike të dokumenteve të klasifikuara në kabinetin e ministrit, njofton se për këtë rast do të ndërmerren të gjitha masat e parapara me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, si dhe Rregulloren për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar.
“Pas pranimit të detyrës së ministrit Agim Veliu, në kabinetin e këtij të fundit është gjetur një gjendje e pa rregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara me nivelin përkatës të klasifikimit. Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar fillimisht një Komision, i cili ka evidentuar gjendjen e dokumenteve të ndodhura në njërën nga kasafortat e kabinetit”, thuhet në komunikatën për media.
Ky komision përmes raportit të datës 8 qershor 2020, ka konstatuar se disa nga këto dokumentet nuk janë gjetur në gjendje të sigurisë fizike, sipas standardeve siç përcaktohet me ligj dhe me Rregulloren për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar.
Pas raportit të komisionit, i cili ka ngritur shqetësim, MPB si institucion i ruajtjes së këtyre dokumenteve, do të veprojë në përputhje me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe do të ftojë autoritetin kompetent, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që përmes inspektimit të vërtetojë nëse këto shqetësime janë të arsyeshme apo jo, pra të vërtetojë se kabineti i ish- ministrit Xhelal Sveçla i ka ruajtur këto dokumente në kushte dhe standarde sipas rregullores për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar.
MPB së bashku me AKI do të ndërmarrin hapat e mëtejshëm me qëllim që kjo çështje të sqarohet siç e parasheh Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i cili në nenin 50 përcakton se “cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim“.
Bazuar në aktet normative të gjitha institucionet publike garantojnë sigurinë fizike dhe sigurinë e informacioneve lidhur me informacionet e klasifikuara në pajtim me standardet dhe procedurat e përcaktuara përmes këtyre akteve nënligjore.
Ndryshe, kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-u.d. të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty ku duhej të ishin nën dry.
Me ligj parashihen sanksione penale jo vetëm për ata që e nxjerrin, por edhe ata që nuk e mbrojnë rrjedhjen e këtyre dokumenteve në publik.
Fjala është për kasafortën në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale të ministrit të Punëve të Brendshme që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e shtetit.
Lidhur me raportimet se ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka lënë të hapur kasafortën me dokumente të klasifikuara shtetërore, që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare, nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha deklaroi ditë më parë se këto sqarime do t’i marrin nga ministri Agim Veliu, i cili pritet që javën tjetër të raportojë para këtij komisioni./Gazeta Sinjali/