image ​Komunat shqiptare synojnë të zhvillojnë agroturizmin

Rajon

​Komunat shqiptare synojnë të zhvillojnë agroturizmin

news image

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Unionin e Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon (UBSHR) kanë mbajtur tryezën e rrumbullakët ”Kurorat e Qyteteve Shqipfolëse si Destinacion i Agroturizmit”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se investimet në turizëm që mund të zhvillohen në zonat rurale janë tashmë edhe pjesë e buxhetit për vitin e ardhshëm. Sipas tij potenciali i agroturizmit në zonat rurale të Prishtinës është i lënë pas dore, derisa ka shtuar se vitet në vijim shtyllë e rëndësishme është Prishtina rurale.

Rama tha marrë parasysh natyrën magjepsëse që ka vendi, ndërtimi i shtigjeve për biçikleta apo mjete alternative të transportit i bënë të qasshme në format që janë më ekologjike e më të shëndetshme, duke u bërë pjesë e agjendave globale për një mjedis më të pastër.

“Potenciali i agroturizmit në zonat rurale të Prishtinës, është fatkeqësisht i pashfrytëzuar dhe i lënë pas dore deri më tash. Shtyllë e rëndësishme e programit tonë për vitet e ardhshme është Prishtina rurale, e cila ofron mundësi fantastike për zhvillimin e turizmit kulturor dhe atë të agroturizmit…Si pjesë e trashëgimisë kulturore duke i mbështetur zonat rurale dhe duke ju ofruar mundësi për zhvillim të bizneseve ruan dhe shtyn përpara vlerat dhe traditat tona. Ndërtimi i infrastrukturës, urë lidhëse mes zonës urbane edhe asaj rurale, është esenciale për përfshirjen dhe zhvillimin e këtyre zonave duke ju ofruar qasje dhe komunikim të lehtë midis Prishtinës urbane dhe asaj rurale… Fuqizimi i fermerëve ne krijimin e strukturave që rrit kapacitetet dhe ndihmojnë bizneset, sidomos në gra sipërmarrëse janë primare”, tha ai.

Kreu i Prishtinës tha se zhvillimi i hapësirave të organizimit për festivale të ndryshme sikur Etno Fest në fshatin Kukaj, e zhvendos vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve ë pjesën rurale.

Më tej, Rama tha se kanë paraqitur si fillim projektet e implementuara nga Unioni i Bashkive Shqiptare deri tani si, projekti i turizmit rajonal me sloganin “Eja në shtëpinë tonë”, Muzeu i lëvizshëm “Tirana vjen tek ti”, projekti i Unionit të Bashkive Shqiptare “Mike e zonjave krijuese, krijimi i Forumit Ekonomik Rajonal e të tjera.

Ai tha se qëllimi i tryezës është krijimi i një strategjie të bashkëpunimit të prekshëm të qytetarët e të gjitha vendeve antare.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare, Andriola Kambo tha se këtë vit shënojnë 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe me datë 26 nëntor të gjithë anëtarët e Këshillit të Bashkive dhe Komunave do të shënojnë këtë datë të rëndëishsme për shqiptarët.

Kambo ka treguar se do të behët promovimi dhe lansimi i platformës më të re të Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon i cili do të jetë një komunikim në kohë reale, duke rrjetëzuar ekonominë, bizneset, kulturën, artistët, qytetet, anëtaret e këkëtij Këshilli.

“Projekti që do të jetë është Java e Komunave shqipfolëse në Tiranë, nëntori do të jetë ndryshe, gjithë qyteti do të kenë hapësirën e tyre.. Do të promovojmë dhe do të lansojmë platformën më të re të Unionit të Bashkive Shqiptare në rajonin albanak që do të jetë një komunikim në kohë reale, duke rrjetëzuar ekonominë, bizneset, kulturën, artistët, qytetet, anëtarët e Këshillit Bashkiak. Pra, deri tani Unioni në këto dy vite ka pasur projekte të suksesshme por tashmë është që duhet të jemi shumë afër me njëri-tjetrin, por duhet të jemi edhe në kohë reale për të ndarë pikërisht ato eksperienca pozitive por duhet qenë sa më shumë funksionalë, praktikë dhe më të shpejtë me njëri-tjetrin”, tha ajo.

Ndërsa për vitin 2023 tha se strategjia e promovimit të turizmit do të orientohet nga sporti, arti dhe kultura.

“Për vitin 2023 strategjia e Unionit do të jetë sporti, do të promovojmë turizmin nëpërmjet sportit, artit dhe kulturës. Gjithë shtigjet duke futur edhe pjesën e shtigjeve internerale turistike por që ne kemi bërë tashmë në tre dimensione, pjesën e trashëgimisë kulturore duke i promovuar atë të sportit. Ato xhevahiret që kemi ende të pa promovuar, është detyrë e secilit nga ne të japin kontribut”, tha ajo.

Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon është një bashkim vullnetar, i lirë dhe i pavarur i bashkive dhe komunave të qyteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore dhe Kosovë Lindore. Funksionon si një organizatë jofitimprurëse, e pavarur dhe joqeveritare.

/GazetaSinjali/