image ​Ish-gjyqtari i EULEX-it Simmons do të raportojë në Kuvend për “parregullsitë” e këtij misioni në Kosovë

Kosovë

​Ish-gjyqtari i EULEX-it Simmons do të raportojë në Kuvend për “parregullsitë” e këtij misioni në Kosovë

news image

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons do të raportojë para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, lidhur me pretendimet e tij për parregullsi dhe abuzime të misionit së EULEX-it në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sot, shkresën e dërguar para 5 muajve, komisioni ia ka kthyer pozitivisht gjatë mbledhjes, me kërkesë të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Kjo u përkrahë nga të gjithë anëtarët e komisionit, përveç atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës që u deklaruan kundër raportimit në çfarëdo trupe të Kuvendit të ish-gjyqtarit Simmons.

Derisa u la mundësia që varësisht nga të gjeturat dhe dëshmitë e ish-gjyqtarit të formohet edhe një komision hetimor parlamentar për këtë çështje.

Inicuesja e kësaj kërkese, Donika Kadaj-Bujupi tha se takimi duhet të mbahet sa më parë që të jetë e mundur për të dëgjuar dëshminë e ish gjyqtarit Simmons.

“Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë̈ kundër Korrupsionit shpreh gatishmërinë për të dëgjuar dëshminë e Malcom Simmons për të gjitha çështjet e ngritura. Komisioni propozon që takimi të mbahet sa më parë që të jetë e mundur në varësi nga koha e disponueshme nga Malcom Simmons”, tha ajo.

Më këmbëngulës në këtë pikë, u shpreh deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri i cili tha se pas të gjeturave nga dëshmitë e Simmons, duhet të hartohet një raport i detajuar që t’i drejtohen Parlamentit Evropian për abuzimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin nga një mision i BE-së.

Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni kërkoi kujdes për të parë harmonizimin ligjor lidhur me çështjen e imunitetin të gjyqtarëve të Eulex-it.

“Duhet me shiku edhe çështjen e imunitetin me veprimtarin e gjyqtarëve të Eluexit dhe pjesëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Prandaj mendoj që është mirë që inicimi që e kemi bërë deri tash, lidhur me dëshminë e dëshmisë fillestare të zotit Simmons ta vazhdojmë tutje”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari i komisionit nga radhët e Nisma-AKR, Endrit Shala tha se varësisht nga të gjeturat duhet të themelohet edhe komisioni hetimor parlamentar.

Kure, kundër një raportimi të tillë të ish-gjyqtarit Simmons u shpreh kryetari i komisionit, njëherësh deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, i cili tha se i njëjti duhet të dëshmojë para autoriteteve të BE-së.

“Qëndrimi i Grupit Parlamentar të LDK-së është që nuk e mbështesim as dëgjimin e dëshmisë së zotëri Simmons as para komisioni e as para ndonjë trupe të Kuvendit sepse konsiderojmë se ky ka qenë mision i BE-së dhe nëse zotëri Simmons duhet të dëshmojë diku, ai duhet të bëjë para autoriteteve të BE-së dhe para parlamentit Evropian”, deklaroi ai.

Ndryshe, Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons kishte kërkuar formimin e një komisioni hetimor parlamentar të evidentuar pretendimet e tij për parregullsitë e këtij misioni të BE-së në Kosovë. /Gazeta Sinjali/