Ushtruesi i detyrës së asistentit të sekretarit të Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Paul Ahern, ka qëndruar për vizitë në Serbi prej 13 deri më 15 dhjetor.
Ai tha se individët dhe kompanitë e sanksionuara nga ShBA të japin llogari dhe të ndalohen veprimtaritë destabilizuese.
“Individët dhe kompanitë e shënjestruara nga këto sanksione duhet të japin llogari dhe të pengohen veprimet e tyre destabilizuese. Presidenti Biden ka qenë i qartë që luftimi i korrupsionit është prioritet kyç i Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Thesarit do të vazhdojë që t’i mbajë përgjegjës aktorët e korruptuar, kudo që mund të jenë ata”, tha Ahern.
Zyrtari amerikan, në Serbi zhvilloi takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Financave, Bankën Qendrore, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Prokurorëve.
Sipas ambasadës amerikane atje, ShBA është mirënjohëse për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Departamentit të Thesarit në fushën e luftimit të financimit të paligjshëm dhe presin progres të vazhdueshëm në adresimin e këtyre çështjeve të rëndësishme.
Më 8 dhjetor, Thesari amerikan sanksionoi 16 persona me pretendimin se kanë kryer veprimtari të jahstëligjshme, një ndër to edhe korrupsioni. 13 prej tyre ishin serbë, që sipas Thesarit, bazën e veprimtarisë e kanë në veri të Kosovës.