Shyqiri Bytyqi ka dhënë edhe zyrtarisht dorëheqje nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës.
Vendimin e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në facebook.
Ai ka thënë se ndër arsyet kryesore që e kanë detyruar ta marr këtë vendim janë ndërhyrjet në punën e tij si ministër i Arsimit.
“Autokracia partiake te ne provon dhe ia arrijnë ku e ku ta bëjë jo vetëm politiken e hises koalicioniste, por edhe secilën detyrë të asaj hiseje veq e veq deri në përmasën që deformon secilën lindje iniciative a vazhdimësie dhe gjithçka sheh e provon ta përdorë si aset përfitimi a kapjeje!
Sfidat e një drejtuesi të dikasterit krahas ndërtimit të vlerave tashmë bëhen edhe ato të ruajtjes së proceseve nga kapja që në thelb janë veçse deformitete, në pellgun moçalik të të cilave mbytet ëndrra e brezave! Kjo përlind mospajtimet e pariparueshme! Moralja dhe amoralja në të tillë rrethanë pikë-ndarjen e ngrejnë në detyrë! Shteti i xhepave partiakë bëhet e keqja e përgjithshme dhe e mban në këmbë autokracinë partiake! Të tilla shkarje mjerisht sot janë ethet e frikshme të mentalitetit (mykur në praktikat e lindjes), ku edhe ne kemi hisen tonë në prodhimin jo vetëm të mendësisë, por edhe e të së keqes! Kjo e bënë të lëngoj shoqërinë, e fyen socialdemokracinë si vlerë konkuruese për univerzalen e gjykimit njerzor!”, ka theksaur Bytyqi në arsyetimin e dorëheqjes.
Ai ka përmendur dy gjëra e kishin bashkuar në fillet e rrugëtimit të tij politik me Nismën.
“Bindja socialdemokrate që jeton në personin tim dhe vrazhdësia e efektit ndarës të PDK-së ku njeriu që unë respektoj më shumë nga gjithë tjerët në skenën tonë politike e të zhvillimeve Jakup Krasniqi ishte vënë padrejtësisht edhe në goditje opinionesh si produkt i aferës së përgjimeve!
E majta që jeton në mua po aq sa ishte bindja ime tashmë është bërë edhe rrugëtimi im angazhues!”, ka shtuar ai.
Në vijim postimi i plotë i Shyqiri Bytyqit.
Sinjali ka raportuar dje (e diel) për vendimin që kishte marr Shyqiri Bytyqi për largim nga Partia Socialdemokrate. Sipas burimeve të gazetës të afërta me z. Bytyqi, ai kishte vendosur t`i ndajë rrugët me Fatmir Limajn për shkak të pakënaqësive të grumbulluara prej kohësh.
Përçarjet mes Limajt e Bytyqit kishin nisur kohë më parë. Ky i fundit madje ishte injoruar nga partia e tij, Nisma Socialdemokrate, në rastin e përurimit të një shkolle në Malishevë. Bytyqi pati thënë vet se i ka mbetur hatri dhe ndjehet i injoruar nga partia e tij
Ditë më parë nga kjo parti u largua edhe Bajram Hasani, ish ministër i Tregtisë i cili ishte shkarkuar kohë më parë. Ai ka aderuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. /Sinjali/