Bashkimi Evropian i është përgjigjur ftesës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Në përgjigjen e Bashkimit Evropian thuhet se BE ka vendosur që të dërgoj në mision për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zyrtarja e lartë e BE-së, Federica Mogherini ka emëruar Viola von Cramon-Taubadel si Krye-vëzhguese të zgjedhjeve.
“Kosova mbetet një përparësi politike për Bashkimin Evropian dhe vendosja e një Misioni Vëzhgues Zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, konfirmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur proceset demokratike në Kosovë. Kam besim se vendosja e Misionit Vëzhgues nga BE-ja nën udhëheqjen e Viola von Cramon-Taubadel do të kontribuojë në zgjedhje gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe transpartene.
Të gjithë palët e interesuara dhe komunitetet duhet të jenë në gjendje të përfshihen në këtë proces dhe të kenë fjalën e tyre në të ardhmen e Kosovës. Këto zgjedhje vijnë në një pikë të rëndësishme për Kosovën ku ajo duhet të lëvizë me vendosmëri për të bërë përparim në rrugën e saj evropiane, në reforma dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh Mogherini, thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian.
Ekipi kryesor i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të BE-së, i përbërë nga nëntë analistë kanë arritur në Prishtinë më 7 shtator dhe do të qëndrojë deri në përfundimin e procesit zgjedhor./Gazeta Sinjali/