image Zvicra pritet të presë raundin e ri të dialogut mes SHBA-së dhe Iranit

Botë

Zvicra pritet të presë raundin e ri të dialogut mes SHBA-së dhe Iranit

news image

Një takim i ri mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillohet më 21 qershor në Burgenstock të Zvicrës, sipas njoftimit të bërë nga Ministria e Jashtme e Pakistanit.

Sipas deklaratës zyrtare, në bisedime do të marrin pjesë delegacione nga të dyja vendet, ndërsa rolin e ndërmjetësuesit do ta kenë përfaqësues nga Pakistani dhe Katari.

Takimi vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon, pas deklaratave të fundit të Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe zhvillimeve që pasuan marrëveshjen e armëpushimit mes palëve.

Autoritetet pakistaneze kanë bërë të ditur se qëllimi i raundit të ri të bisedimeve është avancimi i pikave të dakorduara në memorandumin 14-pikësh të mirëkuptimit, i cili synon forcimin e dialogut dhe ruajtjen e stabilitetit.

Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje shtesë mbi agjendën e takimit, por pritet që çështjet e sigurisë rajonale dhe zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme të jenë në qendër të diskutimeve.

Takimi në Zvicër shihet si një përpjekje e re diplomatike për të ruajtur komunikimin mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/