image Zv.ministri i Drejtësisë: U keqpërdorën rreth 1 milion euro, ekspertët e Mjekësisë Ligjore u kompensuan jashtëligjshëm për 5 vjet

Drejtësi

Zv.ministri i Drejtësisë: U keqpërdorën rreth 1 milion euro, ekspertët e Mjekësisë Ligjore u kompensuan jashtëligjshëm për 5 vjet

news image

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, po pretendon se ekspertët mjeko-ligjorë janë kompensuar për punën shtesë, punën jashtë orarit dhe pjesëmarrjen e tyre në seanca gjyqësore në mënyrë të jashtëligjshme, raporton Gazeta Sinjali.

Sallahu tha se ata janë kompensuar në bazë të udhëzimit administrativ, i cili është bërë në bazë të ligjit që nuk është në fuqi që nga viti 2016.

“Këshilli Prokurorial i kishte propozuar ish-ministres Dhurata Hoxha që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit të punës jashtë orarit të punës për ekspertët e mjekësisë ligjore, për shkak se ishte i bazuar në ligjin i cili ishte shfuqizuar. Por, ky udhëzim është ende në fuqi dhe është duke u zbatuar”, tha Sallahu në një konferencë për media.

Ai shtoi se, pavarësisht që i është tërhequr vërejtja nga Këshilli Prokurorial, ish-ministrja, Dhurata Hoxha, e ka injoruar letrën e tyre dhe nuk ka marrë asnjë hap për mbrojtjen e parasë publike.

“Për shkak të këtij mos-veprimi, ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar jashtëligjshëm në vlerë afër 1 milion euro për gjatë 5 viteve të fundit, përmes një udhëzimi administrativ të bazuar në ligjin e vitit 2011, i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi”, shtoi tutje Sallahu.

Zëvendësministri i Drejtësisë, gjithashtu se ka pasur raste të favorizimeve, ku disa ekspertë të Mjekësisë Ligjore janë thirrur më shpesh në seanca dhe kanë përfituar më shumë mjete financiare se disa të tjerë.

“Kemi hartuar draftin e ri të vendimit në bazë të ligjit të ri në fuqi për metodën e llogaritjes së tarifave për shërbimet e mjekësisë ligjore, kompensimin e punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjes në seanca të ekspertëve të mjekësisë ligjore”, tha ai./Gazeta Sinjali/