Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka paralajmëruar largim nga puna për mësimdhënësit që do të tregojnë performancë të dobët në punën e tyre.
“Për shkak të përformancës së dobët, jo vetëm mësimdhënësit por çdo punëtorë në Kosovë mund të largohet. Aty parashihet një periudhë njëvjeçare për mësimdhënësit që kanë dalë dobët në vlerësim që të përmirësohet dhe në rast se nuk përmirësohet ai mësimdhënës e humb licencën e punës”, tha ai.
Sipas tij, testimi i mësimdhënësve ishte paraparë qysh në vitin 2016 nga ministri i atëhershëm i Arsimit, Arsim Bajrami, për që sipas tij, ai kishte hequr dorë nga një gjë e tillë për shkak të kundërshtimeve nga Sindikata e Arsimit.
“Pas reagimeve të SBASHK-ut Bajrami më nuk e kishte përmendur atë gjë”, deklaroi Pupovci.
Pupovci thotë se kjo qeveri parashikon vlerësimin e mësimdhënësve e jo testimin, e që sipas tij është edhe në udhëzimin administrativ.
“Vlerësimin e mësimdhënësve do ta bëjë Inspektorati. Inspektorati mbledh portfolion e mësimdhënësve, i shkon në orë arsimtarit, e gjëra tjera që janë pjesë e sistemit të poentimit të mësimdhënësve. Në fund ky vlerësim e nxjerr mësimdhënësin në njërin nga tri nivelet. Ose i plotëson kriteret në një shkallë më të lartë, ose i plotëson në një shkallë minimale, ose nuk i plotëson kriteret fare”, tha ai në TV Dukagjini./Gazeta Sinjali/